I urti Ymer Prizreni frymëzim brezash për lirinë
Shkruan: Jahja Lluka
Janë të rrallë njerëzit që me urtësinë e tyre arrijnë të tejkalojnë çdo pengesë, drejtë qëllimeve madhore të cilat nuk ju takojnë më personalisht atyre, por bëhen frymëzim për brezat që duan dritën dhe njerëzinë.
Urtësia dhe guximi kur ndërveprojnë bëjnë mrekulli që shpesh shumica e njerëzve nuk arrijnë t’i perceptojnë. Kështu kohërat e vështira nxjerrin njerëz me shpirt gjigant të cilët nuk kanë vetëm një jetë, por mbi krahët e tyre bartin fatin e një kombi të tërë.
I tillë ishte Ymer Prizreni. Ymer Prizreni ishte me prejardhje nga fshati Zgatar i Opojës, gjyshi i tij Ismaili u vendos në qytetin e Prizrenit për shkak të kushteve më të mira të jetesës. I ati i Ymerit quhej Sylejman dhe në atë kohë ishte myderriz e imam i Xhamisë së Mëhallës së Re në Prizren. Sylejmani kishte reputacion të mirë dhe njerëzit e admironin, më pas bëhet predikues medreseje dhe imam i xhamisë Gazi Mehmet Pashës në Prizren. Në vitin 1821 lind Ymeri, qysh në fëmijëri shquhet për aftësitë e tij, gjë që më pas historia do e njeh si personalitet dhe njeri me tipare të rralla.
Ymeri në atë kohë ndjekë mësimet në medresenë e qytetit në Prizren, për të vazhduar më pas në Stamboll në teologji, filozofi dhe shkenca juridike. Rikthehet në Prizren ku shërbeu si myfti. U nderua me titullin Efendi, ndërsa me të mbaruar haxhillëkun mori titullin Haxhi. I përkiste rreshtimit mistik nakshibendi kështu që në opinion njihej edhe si sheh. Përveç shqipes, fliste dhe gjuhë të tjera përfshirë këtu frëngjishten, persishten, arabishten, turqishten, serbishten dhe kuptonte gjermanishten.
Me 1877 mori mbiemrin “Prizreni” dhe u zgjodh përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Parlamentin Osman. Kishte një influence të jashtëzakonshme mbi popullin, njihet si njeri me karakter të qetë dhe guxim të madh. Me qëllim të bashkimit kombëtar Ymer Prizreni ishte prezent pothuajse në të gjitha viset shqiptare në Ballkan, për të mbajtur gjallë frymën kombëtare ai nuk ndaloi asnjëherë.
Veç kapacitetit intelektual Ymer Prizreni ishte shpirt bujar dhe humanist. Me të ardhurat e tij ndihmoi shumë nxënës dhe student shqiptarë, për të dalë në dritë nga pushtimi i atëhershëm, shtëpia e tij ishte ODA ku u mbajtën takimet në mes të shqiptarëve për më shumë se një dekadë. Veprimtaria e tij politike, diplomacia dhe Lufta e Lidhjes së Prizrenit në ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe autonomisë politike e shtetërore të saj, shënon një kthesë historike në kohërat kur ambiciet e fqinjëve ballkanas ndaj tokave tona ishin më të hidhurat.
Ky vit shënon 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit nismë nga i urti dhe guximtari Ymer Prizreni, i cili me veprën, atdhedashurinë dhe sakrificën përjetësoi emrin e tij duke mos vdekur kurrë. U bë frymëzim për më shumë se një shekull dhe Lidhja e Prizrenit triumfon tani me dy shtete shqiptare dhe faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan si asnjëherë shekujt e fundit.