USAID-i: Gjilani, komuna që ka pasur ngritjen më të madhe në procesin e gradimit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim drejtorin e programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), Stephen Carpenter, ku edhe zyrtarisht është bërë transferimi i pajisjeve dhe inventarit nga projekti i realizuar muaj më parë për komunën e Gjilanit.
Haziri ka falënderuar drejtorin Carpenter për mbështetjen e jashtëzakonshme për Gjilanin në fushën e prokurimit, financave, auditimit, personelit e Zyrën e Informimit, në ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e madhe me anë të pajisjeve dhe inventarit të ofruar.
Edhe drejtori i programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), Stephen Carpenter, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë, ndërsa ka la lavdëruar Gjilanin për përparimin e madh në shumë fusha. “Ka qenë kënaqësi të bashkëpunojmë me kryetarin Lutfi Haziri dhe zyrtarët tjerë të Komunës dhe jam i lumtur që Gjilani ka ecur shumë përpara brenda tri viteve. Pra, është komuna që më së shumti ka përparuar në fushën e gradimit, nga 44 pikë sa ka qenë në fillim, ka arritur në 67 pikë”, ka thënë ai. Takimi në mes të Hazirit dhe Carpenterit ka qenë lamtumirës për drejtorin e këtij programi pasi ai përfundon mandatin në këtë pozitë.
Projekti TEAM është projekt pesëvjeçar i financuar nga USAID që ka filluar me 11 janar 2017 dhe është planifikuar të përfundojë në janar 2022.
Projekti është i dizajnuar që të përmirësojë drejtësinë, transparencën dhe mbikëqyrjen e prokurimit duke ofruar asistencë të plotë në të gjitha 38 komunat e Kosovës, me theks të veçantë në pesë komunat që janë në fokus të projektit përmes mentorimit, trajnimit dhe stërvitjes për të përmirësuar llogaridhënien për fondet dhe shpenzimet publike.
/Epoka e re/