USAID-i nëpërmjet shkollave verore përgatit të rinjtë për punë
Në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë është hapur shkolla verore dyditore me përkrahje të USAID-it.
Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Mango, ka thënë se kjo shkollë verore është e para e një serie shkollash të tilla që kanë organizuar për vitin 2018.
Ajo ka theksuar se qëllimi i këtyre shkollave është që t’i përgatisin të rinjtë për punë në shekullin 21.
Në hapje të kësaj shkolle ka qenë i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, i cili ka thënë se shkollat verore kanë rëndësi të veçantë, edhe për faktin se janë organizime vullnetare.
Ai ka premtuar që MASHT-i do të qëndrojë gjithmonë pranë shkollave, për të përkrahur iniciativa të tilla.
Kjo shkollë verore do të zgjasë dy ditë dhe është e ndarë në katër sesione: elektronika, ndërmarrësia, edukimi medial dhe teknologjia muzikore.