“USAID-i, partner i fuqishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës”
Ndihma që USAID-i ka dhënë për Kosovën që nga periudha e pasluftës e deri në ditët e sotme në të gjitha fushat, janë kontribut i drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Këtë falënderim në emër të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës, e shprehu kryeministri Ramush Haradinaj në takim me Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman.
“Populli dhe institucionet e vendit janë me fat që kanë partneritet me shtetin më të fuqishëm SHBA-në, e cila në të gjitha periudhat e rëndësishme ju gjend pranë përmes ndihmës në formave të ndryshme”, shtoi Haradinaj.
Ai falënderoi Biermanin për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të USAID-it në Kosovë për krijimin e një ambienti sa më të mirë për të bërit biznes, dhe shprehu besimin se bashkëpunimi me SHBA-në dhe USAID-in në veçanti do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kurse, Ndihmës Administratori i USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman, uroi Haradinajn dhe popullin e Kosovës për 10 vjetorin e shtetësisë, duke vlerësuar të arriturat dhe sukseset e shënuara në këtë dekadë.
Bierman ka deklaruar se ndihma e USAID-it për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes projekteve të cilat do të avancojnë proceset demokratike dhe ekonomike në Kosovë.