UShAF-i përmbyll vitin akademik me hapjen e ekspozitës “Profesionistët e së ardhmes 4”

29 maj 2019 | 15:52

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), të mërkurën bëri hapjen e ekspozitës “Profesionistët e së ardhmes”, e cila organizohet për herë të katërtë në këtë universitet, si dhe përurimin e Lobby-t për studentë.

Në këtë ngjarje, studentët shfaqën kreativitetin e tyre përmes punimeve të realizuara gjatë punës praktike dhe pjesëmarrësit shijuan Lobby-in e dizajnuar dhe të realizuar nga studentët përfitues në kuadër të projektit Heras.

Rektori i UShAF-it, prof. dr. Agron Bajraktari, ka falënderuar të pranishmit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe arritjen e sukseseve të universitetit.

Ai ka folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, bashkëpunimin me industrinë dhe akterët tjerë vendor dhe ndërkombëtar.

Po ashtu, ka falënderuar në veçanti studentët për angazhimin e tyre për zbukurimin e Lobby-t, si dhe përfaqësuesit e Heras dhe Agjencionin Austriak për Zhvillim (ADA), të cilët u dhanë mbështetje studentëve në realizimin e këtij projekti.

Po ashtu, rektori ka theksuar se UShAF është në pritje të programeve të reja dhe sipas tij së shpejti pritet rritje e programeve dhe numrit të studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe potencoi se gjatë muajit tetor Universiteti do të pajiset me gjashtë laboratorë të ri.

Studentët fitues të projektit për realizimin e Lobby-t (Lorita Rama, Resul Qorrolli, Anduela Kasumaj, Premtim Kamberi), falënderuan rektorin Bajraktari për përkrahjen dhe dekanin e tyre Florit Hoxha për mbështetjen e vazhdueshme që nga fillimi i realizimit të këtij projekti, si dhe përfaqësuesit e Heras dhe ADA, për ndihmën në realizimin e ëndrrës së tyre. Po ashtu, ata inkurajuan studentët e tjerë që të marrin pjesë nëpër projekte.

Dekani Florit Hoxha, ka folur për bashkëpunimin individual me studentë, punën e studentëve, si dhe mundësinë e kryerjes së punës praktike nga ana e tyre nëpër hapësirat e Universitetit në mënyrë që të përgatiten për tregun e punës.

Ndërsa, Arbëresha Meha nga projekti Heras ka përgëzuar rektorin Bajraktari dhe stafin akademik për përkujdesjen që studentët të fitojnë njohuri që nga viti i parë i studimeve dhe në saje të kësaj ata po dëshmojnë profesionalizëm.

Ajo ka thënë se studentët janë krenaria e universitetit dhe njëkohësisht me fat që janë pjesë e tij. Ndërsa, për bizneset është përparësi që po marrin studentë të përgatitur.

Musa Selimi, nga Federata e Sporteve Universitare të Kosovës u impresionua me të arriturat e universitetit dhe ambientin e mrekullueshëm që ka krijuar për studentë, njëherësh shprehu dëshirën që studentët e UShAF të bëhen pjesë e pandashme e kësaj federate.

Profesor Fatih Çetin nga Universiteti i Nigdes në Turqi, i cili po qëndron në UShAF në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar, ka përgëzuar për organizimin e kësaj ngjarje, duke i cilësuar studentët në nivel të lartë të kreativitetit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte nga ora 21:00 zhvillohet finalja e Evropa Ligës në…