UShAF-ja bëhet me laborator të arkitekturës, dizajnit dhe teknologjisë së drurit
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur dyert të hënën për të pritur me një ceremoni solemne studentët në vitin e ri akademik 2018/19, e në veçanti ata të cilët për herë të parë vijnë në universitet, si dhe bëri hapjen e laboratorit të arkitekturës, dizajnit dhe teknologjisë së drurit.
Me këtë rast, rektori i UShAF, prof. dr. Agron Bajraktari u ka dëshiruar mirëseardhje në universitet studentëve, e sidomos atyre që për herë të parë fituan statusin e studentit.
“Sot universiteti ynë ka disa arsye për të festuar. Jemi pajisur me laboratorin e arkitekturës, i cili është modern dhe i teknologjisë së fundit, i cili na vjen si donacion nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Po ashtu, këtë vit stafi akademik është rritur në masë të madhe gjë që garanton rritjen e suksesit dhe cilësisë. Ndërsa, ju studentë të dashur jeni me fat që jeni pjesë e UShAF-it, sepse do të studioni në kushte më të favorshme ku do të dilni nga ky universitet si profesionist të vërtetë dhe do të ndihmoni zhvillimin e tregut kosovarë. Pajisjet e arritura do të ndikojnë tek studentët dhe do t’i bëjnë ata konkurrent në treg”, ka thënë rektori Bajraktari.
/Epoka e re/