UShAF-ja dhe AAC-ja nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Në vazhdën e bashkëpunimit me aleatin më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, ShBA-në, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), përfaqësuar nga rektori, prof. dr. Agron Bajraktari dhe American Advising Center (AAC), përfaqësuar nga Drita Sylaj, nënshkruan të mërkurën memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me qëllim të partneritetit për testim të gjuhës angleze, me testin TOEFL.
Memorandumi do të ofrojë ndihmë dhe informata për testimin e gjuhës angleze, me testin TOEFL, për kandidatët e interesuar për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë.
AAC-ja do të ofrojë publikimet e Departamentit të Shtetit Amerikan për rrjetin EducationUSA dhe materiale të tjera të AAC, do të zhvillojë sesione informuese në lidhje me testet standardizuese në Kosovë dhe mundësitë e studimeve në ShBA, në veçanti ato me bursa.
Po ashtu, do të ofrojë këshilla dhe udhëzime të përgjithshme dhe pa pagesë mbi testet standardizuese dhe mundësitë e studimeve në ShBA për studentët, stafin akademik dhe atë administrativ.
Ndërsa, në UShAF do të zhvillohen aktivitete të përbashkëta me AAC. Po ashtu, Universiteti do ta përkrahë stafin e AAC dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, si dhe do të sigurojë mundësi për stafin e tyre për prezantimin e programeve dhe aktiviteteve tek studentët, stafi akademik dhe administrativ.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi, të dyja palët partnere shprehën gatishmërinë për mbarëvajtjen e këtij Memorandumi dhe premtuan se do të punojnë shumë për thellimin e këtij bashkëpunimi.
UShAF-ja ka pasur bashkëpunime të shumta me SHBA-në, duke përfshirë atë me Institucionet e Arsimit të Lartë, duke sjell ligjërues nga ana e tyre për studentët e UShAF, si dhe bashkëpunim të mirëfilltë me ekipin e KFOR-it (LMT) për rajonin e Ferizajt.
AAC – EdUSA Kosovo, si qendër testuese për testin TOEFL në Kosovë, është themeluar nga Departamenti i Shtetit Amerikan ndërmjet Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
/Epoka e re/