Ushqimet e shpejta, luks për qytetarët
Ushqimet e shpejta nuk janë më në listën e preferuar të qytetarëve që duan të hanë lirë. Duke nisur nga gjevreku, i cili prej 10 denarëve ka arritur në 25 denarë, megjithëse ka vetëm 50 gram brumë dhe susam. Pastaj nga 60 në 90 denarë ka arritur çmimi i çerekut të byrekut, kurse hamburgerët nga 150 në 200 denarë.
Qytetarët shprehen të indinjuar edhe me çmimet e shërbimeve gastronomike, të cilat sërish u shtrenjtuan nga 1 janari. Kjo ju dha shtysë që tregtarët e vegjël individual të rrisin çmimet sipas qejfit të tyre për fitim më të lartë, ndonëse çmimet e lëndëve të para dhe kostot tjera janë stabilizuar nga ulja inflacionit.
“Të ju them të drejtën, tani më është bërë çmenduri! Nuk dinë çfarë të bëjnë njerëzit, vetëm hapen markete kurse ne nuk mund të blejmë aty ku shkojmë. Nuk i kemi produktet bazë që i kishim, vjen malli nga jashtë ndërsa prodhimet tona vendore mbeten.”
“Do të duhet të ketë kontrolle në ato objekte gastronomike dhe bizneseve tjera që punojnë me produkte ushqimore. Prandaj duhet inspektorati të jetë më aktiv dhe ti parandaloj ato keqpërdorime që nuk janë të pranueshme.
“Vështirë e kemi shumë, nuk kemi para për mbijetesë! Ushqimi është shtrenjtuar, rryma gjithashtu. Gjithçka është më shtrenjtë!
“I kanë rritur çmimet katër fish, madje kush është me pagë minimale nuk mund as të mbijetojë.”
Nga Inspektorati shtetëror i tregut thonë se shumica e byrektoreve dhe ushqimeve tjera të shpejta janë të regjistruar si zanatçinj dhe sipas ligjit përkatës nuk kanë kompetenca në kontrollet të çmimeve në treg.
Zëdhënësja e Inspektoratit tregut tha se aktualisht nuk ka ligj ekzistues që i frenon çoroditjet e çmimeve. Vitin e kaluar ata kanë bërë mbi 28 mijë kontrolle, prej të cilave 5 mijë nga vendimet e qeverisë për masa duke shqiptuar mbi 200 gjoba në vlerë të 55 milion denarëve, thënë ndryshe afër 900 mijë eurove.
Milena Cvetanovska tha se shumica e gjobave janë vënë nga kontrollet e inspektorëve në rrjetet e super marketeve, por edhe të shitoreve të shitjes me pakicë, denoncime të cilat kanë ardhur nga qytetarët.
“Na është bërë një huti sepse ne kontrollojmë çmimet vetëm sipas vendimeve, megjithatë çmimet janë kontrolluar me udhëzimet se cilat produkte saktë duhet ti inspektojmë, madje në çfarë përqindje do të ulen.
Meqenëse bëhet fjalë për treg të lirë, tregtarët kanë të drejtë ti caktojnë vet çmimet e produkteve dhe shërbimeve dhe deri më tani nuk ekziston asnjë ligj që mund ti jep kompetenca Inspektorati të tregut të ndikoj në çfarëdolloj forme në çmimet e shitjes që gastronomët dhe tregtarët i ofrojnë produktet e shërbimet”, tha Milena Cvetanovska, Inspektorati shtetëror i tregut.
Aktualisht, shteti ka vënë nën kontroll vetëm produktet ushqimore të caktuara sipas çmimeve të garantuara, duke i kufizuar në marzhën e shitjes, masë e cila do të skadojë më 31 janar. Një zgjidhje afatgjate me kornizë ligjore po zvarritet në Kuvend dhe kjo pritet të sjell vazhdimin e masës në shkurt.
Përderisa propozim Ligji për parandalimin e tregtisë jo korrekte është në procedurë parlamentare, tregtarët po shfrytëzojnë rastin të rrisin akoma çmimet, të cilat janë të papërballueshme për qytetarët.
Ligji i ri pritet që të kufizoj marzhën e fitimit 10% për shitjet me pakicë nga ato me shumicë, për një gamë të gjerë të produkteve ushqimore, të cilat aktualisht janë të përfshira me masën e çmimit të garantuar.