Ushqimet në Spanjë, pa TVSH deri më 30 shtator
Ushqimet bazë në Spanjë do të vazhdojnë të kenë TVSH-në e reduktuar edhe për disa muaj, por ndryshe nga sa ka ndodhur prej një viti e gjysmë, këtë herë do të rikuperojnë gradualisht normat e zakonshme tatimore. Qeveria, pas disa javësh monitorim të çmimeve të të gjitha këtyre produkteve, i dha dritën jeshile përfundimtare këtë të martë zgjatjes së masës, e cila do të hyjë në fuqi më 1 korrik. Megjithatë, në këtë rast do të ketë një kthim progresiv në normat tradicionale të taksave që shkon paralelisht me moderimin e çmimeve.
Konkretisht, nga 1 korriku deri më 30 shtator, ushqimet esenciale (grup ku përfshihet tashmë edhe vaji i ullirit) do të ruajnë normën aktuale të TVSH-së prej 0%, ndërsa makaronat dhe vajrat e farës do t’i kenë në 5%. Mes 1 tetorit dhe 31 dhjetorit, norma do të rritet në 2% në grupin e parë, ndërsa në 7.5% në grupin e dytë. Duke filluar nga viti 2025, kategoria e parë do të kthehet në 4% dhe e dyta në 10%.
Sipas kësaj skeme të re, ushqimet që konsiderohen thelbësore do t’i afrohen gradualisht normës së zakonshme tatimore prej 4%. Ky grup tradicionalisht përfshin bukën masive, miellin, qumësht, djathë, vezë, fruta, perime, bishtajore dhe drithëra natyrale. Vendimi i fundit i qeverisë, i përgjigjet edhe kërkesës së Komisionit Evropian, i cili kërkon tërheqjen progresive të masave mbështetëse.
Në maj, vaji i ullirit në Spanjë ishte 63% më i shtrenjtë se i njëjti muaj i vitit të kaluar. Që nga janari 2021, çmimi është rritur pothuajse 200%. Spanja është një nga prodhuesit kryesorë në botë të vajit të ullirit, duke zënë 70% të prodhimit të Bashkimit Europian dhe 45% të prodhimit global.
Qeveria vendosi të ulë TVSH-në për produkte të caktuara në javët e fundit të vitit 2022. Në atë kohë, inflacioni i ushqimeve shënoi rritje vjetore prej më shumë se 15%. Ulja e TVSH-së së ushqimeve pati një ndikim prej 1.7 miliardë euro në buxhetin e shtetit gjatë vitit të kaluar.