Ushtarakë të lartë të KFOR-it vizituan kryetarin Bahtiri

31 tetor 2018 | 13:42

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të mërkurën në një takim zëvendëskomandantin e Detashmenteve të Përbashkëta të KFOR-it në veri, Ervin Hartman, para se të largohet nga Kosova për shkak të përfundimit të misionit.

Në takim ishte i pranishëm edhe pasuesi i tij në këtë detyrë, Mihael Plevnik.

Ushtaraku i lartë i KFOR-it, i ka thënë kryetarit Bahtiri se pati dëshirë që para se të kthehet në shtetin e tij, të takoj dhe falënderoj për bashkëpunimin e mirë që KFOR-i dhe ai personalisht ka pas me Komunën e Mitrovicës. “Ju falënderoj shumë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pas dhe kontributin që keni dhënë për stabilizimin e gjendjes. Ju jeni duke bërë punë të mirë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj. Besoj se bashkëpunimi i juaj i mirë me KFOR-in do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kryetari Bahtiri, po ashtu ka falënderuar zëvendëskomandantin Hartman për punën e mirë që ai dhe KFOR-i kanë bërë në Mitrovicë, duke dhënë kështu kontributin e tyre në stabilizimin dhe përmirësimin e situatës të sigurisë gjatë realizimit të misionit në këtë rajon dhe në Kosovë.

Kryetari Bahtiri e njoftoi ushtarakun e lartë të KFOR-it edhe për zhvillimet aktuale në Mitrovicë e Kosovë, me ç’rast ka theksuar se vizioni i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës është i çartë e ai është rruga drejt Bashkimit Evropian. “Kohëve të fundit po flitet shumë edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë mund të ju them se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj janë për dialog, por pa i prekur kufijtë aktual të shënuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po ashtu, është qëndrim unanim se edhe Asociacioni komunave serbe të Kosovës nuk mund të ketë kompetenca që e dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës”,  ka thënë Bahtiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka…