Ushtarët amerikanë do të realizojnë stërvitje ajrore në Polac
KFOR-i ka njoftuar se ushtarët amerikanë do të zhvillojnë një aktivitet ajror në një fushë të hapur afër Polacit në Komunën e Mitrovicës Jugore.
Në njoftim është thënë se për shkak të sigurisë rruga ngjitur në zonën e stërvitjes do të ndërpritet gjatë gjithë aktivitetit stërvitor.
“Në ditët në vijim, kontingjenti amerikan i caktuar në Komandën Rajonale të KFOR-it në Lindje do të zhvillojë një aktivitet ajror në një fushë të hapur afër Polacit, në komunën e Mitrovicës Jugore”.
“Aktiviteti i kërcimit me linjë statike do të përfshijë parashutistët nga Garda Kombëtare e ShBA-së dhe helikopterët amerikanë nga aviacioni i Task Forcës Bondsteel në mënyrë që të ruajnë aftësitë specifike të referuara tek njësitë ajrore”.
“Për shkak të shqetësimeve të sigurisë, trafiku në rrugën ngjitur me zonën e stërvitjes, parashikohet të ndalet periodikisht gjatë gjithë aktivitetit stërvitor”, është thënë në njoftim.
Polaci është fshat në Komunën e Skenderajt, por KFOR-i e ka paraqitur si lokacion në Mitrovicën e Jugut.