Ushtarët e FSK-së dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhurojnë gjak
Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë” për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKTGJK), është aktiviteti i parë humanitar pas zyrtarizimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.
Pas Ministrisë së Mbrojtjes aktiviteti po zhvillohet edhe në Kazermën e Forcave Tokësore (KFT) “Adem Jashari në Prishtinë”.
Me këtë rast, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj, duke parë nga afër mbarëvajtjen e aktivitetit, ka përgëzuar ushtarakët dhe shërbyesit civilë të FSK-së për gatishmërinë dhe motivimin e tyre për të dhuruar gjak, në të mirë të shëndetit të pacientëve të institucioneve shëndetësore të vendit tonë.
Vetëm të mërkurën në Ministrinë e Mbrojtjes, aksionit i janë përgjigjur mbi 50 dhurues vullnetarë, ndërsa të enjten mbi 70 dhurues nga KFT-ja dhe njësive pranshtabore të saj.
Aksioni humanitar për dhurimin e gjakut në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) do të vazhdojë deri më 4 shkurt.
Ky është aksioni i parë humanitar për dhurimin e gjakut për këtë vit, dhe sipas planifikimit aksioni i dytë pritet të zhvillohet në muajt korrik dhe gusht.
Ushtarakët e FSK-së përveç në aksione të tilla, çdo herë kanë shprehur gatishmërinë që t’ju përgjigjen kërkesave për dhurim të gjakut edhe në periudha të tjera të vitit.