Ushtarët e FSK-së fitojnë medaljen e argjendtë në ushtrimin ndërkombëtar në Britani
Në konkurrencë me mbi njëqind ekipe të forcave ushtarake të shteteve të ndryshme të botës, njësiti i FSK-së ka zënë vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë në ushtrimin prestigjioz ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2021” në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky ushtrim sfidues organizohet për çdo vit në Uells të Mbretërisë së Bashkuar ku marrin pjesë njësitet më të mira nga ushtria britanike dhe nga shumë vende të tjera.
Kjo është hera e katërt që pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në këtë ushtrim.
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve prezent ishte atasheu i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, nënkolonel Beton Retkoceri dhe këshilltari i KOMFSK-së, nënkoloneli britanik, Martin Browning.
Gara ndërkombëtare “Cambrian Patrol” njëherazi është ushtrim i fokusuar në mision dhe i bazuar në skenar.
Ky ushtrim këtë herë ka përfshirë kalimin e distancës rreth 60 kilometra ku secili pjesëtar bartë 35 kilogram peshë dhe gjatë tërë kohës vlerësohen në shkathtësitë e luftimit të afërt, ndihmën e parë, identifikimin e armëve, automjeteve, minave, materieve të rrezikshme, etj.