Ushtarët e FSK-së më të mirët në garën ndërkombëtare të mjekësisë (Foto)
Në Grafenworth të Gjermanisë është mbajtur gara ndërkombëtare “Ekspert i Mjekësisë Fushore”, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 200 pjesëtarë nga shumë vende të botës, si ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kosova, etj.
Pjesë e kësaj gare ishin edhe tre pjesëtarë-paramedikë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gara “Ekspert i Mjekësisë Fushore” kishte për qëllim koordinimin dhe aftësimin e pjesëmarrësve në përdorimin e teknikave të reja mjekësore si dhe ngritjen e nivelit reagues gjatë fushëbetejave reale dhe fitimin e begjit.
Nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të kësaj gare, begjin si ekspert të mjekësisë fushore, e kanë fituar 23 pjesëmarrës.
Në mesin e fituesve janë edhe dy pjesëtarë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të RMC-së, Besart Ejupi dhe Kushtrim Hyseni, të cilët janë shpallur ndër më të mirët edhe në nivel Evrope.
Vetëm tre fitues të garës kanë arritur të marrin begjin në tentimin e parë, dy pjesëtarët e FSK-së dhe një amerikan, kurse 19 fituesit e tjerët këtë begj kanë arritur ta fitojnë pas dy e më shumë tentimeve.
Pjesëmarrësit kanë garuar në disiplinat: aftësi luftarake, aftësi medicinale, komunikim, evakuim të viktimave, test i përgjithshëm me shkrim, navigim ditën e natën, si dhe marshim me të gjitha pajisjet në një gjatësi prej 20 kilometrave.