Ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Rumanisë do patrullojnë përgjatë vijës kufitare, njofton KFOR-i
Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR), nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” të enjten, ka njoftuar se përforcimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Rumanisë në kuadër të KFOR-it do të patrullojnë përgjatë vijës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe rritjen e prezencës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë stërvitet në Kosovë dhe Rumania ka dislokuar gjithashtu rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit.
“Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar prezencën e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”, ka shkruar KFOR-i në njoftimin e së enjtes.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me komandantin turk të KFOR-it, Ozkan Ultutas, ka theksuar domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh se sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është kontrabanduar nga Serbia.