Ushtarët e UÇK-së nuk mund t’i dënojë asnjë gjykatë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën ka udhëtuar për nw Hagë, ku të hënën do të merret në pyetje nga Prokuroria e Gjykatës Speciale.
Udhëtimi i Thaçit drejt Hagës vjen pas propozimaktakuzës kundër tij dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, e cila është bërë publike më 24 qershor.
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka postuar një fotografi me presidentin Hashim Thaçi, mbi të cilën shkruan se: “Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund t’i dënojë asnjë gjykatë, janë vetë historia e Kosovës!”
Pas propozimaktakuzës, Thaçi ka vizituar disa nga familjet e dëshmorëve, për ta dhënë mesazhin se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e çlirimtare. Po ashtu, para nisjes për në Hagë, Thaçi të shtunën dhe të dielën ka bërë dy vizita mjaft domethënëse, te varri i komandantit legjendar i UÇK-së, Adem Jashari dhe te varri i simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.
(M.Q / Epoka e re)