Ushtarët kinezë mbërrijnë në Bjellorusi për “stërvitje antiterroriste”
Ushtarë kinezë kanë mbërritur në Bjellorusi të dielën për një “stërvitje të përbashkët antiterroriste”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë në një komunikatë. Sipas saj, manovrat ushtarake do të mbahen nga 8 deri më 10 korrik.
Më 4 korrik, Bjellorusia iu bashkua Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SCO), një grupim rajonal i krijuar nga Pekini dhe Moska si alternativë ndaj ndikimit të Perëndimit.
Në vitet e fundit, Kina është duke u përpjekur t’i forcojë marrëdhëniet me vendet e Evropës Lindore dhe ato të Azisë Qendrore.
Lukashenka e quajti “historik” anëtarësimin e Bjellorusisë në SCO.
Ai theksoi nevojën “për ta shkatërruar botën njëpolare” dhe për ta marrë përsipër përgjegjësinë për “sigurinë globale”, sepse “Perëndimi narcisist dhe vetjak është dëshmuar i paaftë për këtë”.