
Ushtarët ruse futen në tubacionet e gazit për të sulmuar forcat ukrainase në Kursk
Forcat speciale ruse kanë kaluar disa kilometra nëpër një tubacion të madh gazi pranë qytetit të Sudzha në një përpjekje për të befasuar forcat ukrainase, si pjesë e një ofensive të madhe për të dëbuar ushtarët ukrainas nga rajoni perëndimor rus i Kurskut, kanë thënë blogerët pro-rusë të luftës.
Mijëra ushtarë ukrainas kapën rreth 1,300 km katrorë të rajonit të Kurskut të Rusisë në gusht të vitit të kaluar, në atë që Kievi ka thënë se ishte një përpjekje për të fituar një mjet pazaresh në negociatat e ardhshme dhe për të detyruar Rusinë të zhvendosë forcat nga Ukraina lindore, raporton Reuters.
Përparimet ruse në vitin 2024 dhe ndryshimi i politikës së ShBA-së ndaj Ukrainës dhe Rusisë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë shkaktuar frikë tek liderët evropianë se Ukraina do ta humbasë luftën dhe se Trumpi po ia kthen shpinën Evropës.
Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Ukrainën këtë muaj, pasi një takim midis Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky më 28 shkurt, u zhvillua me tensione para mediave botërore.
Në përditësimin e saj të fundit mbi situatën në Kursk, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se forcat e saj kishin rimarrë fshatin Lebedevka, si dhe ka kapur Novenke, një fshat përtej kufirit në rajonin fqinj të Ukrainës, Sumy.
Yuri Podolyaka, një bloger ushtarak pro-rus me origjinë ukrainase, ka thënë se forcat speciale ruse kishin ecur me kilometra përgjatë brendësisë së tubacionit kryesor të gazit dhe disa kishin kaluar disa ditë në tub përpara se të surprizonin forcat ukrainase nga pjesa e pasme pranë Sudzha.