Ushtarët shqiptarë të vrarë në ushtrinë jugosllave (Emrat)
Paraqitur në librin e gjeneralit boshnjak Nihad Halilbegović.
Begzad Baliu
(Skicë për një monografi)
1. Asllan Ukë Gashi, lindur në Suharekë më 17. 09. 1969. Rekrut në APJ më 12 shkurt 1980, në VP nr. 1266/20, Vipavë, Slloveni. Transfer më 3 korrik 1980 në VP nr. 2950, në Snezhanë. U vra më 9. 11. 1981. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje!
2. Agron Haxhi Ferizi u lind më 1957 në Deçan. U mobilizua në Ushtrinë Jugosllave më 6 janar 1984 në Novi Sad. Më vonë e transferojnë në Baçka Topollë, ku vritet më 25 gusht 1984. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje!
3. Aziz Sadik Kelmendi u lind më 15 janar 1967 në Karaçicë të Lipjanit. Më 1986 mobilizohet në ushtrinë Jugosllave në Leskovc të Serbisë. Emri i Aziz Kelmendit lidhet me inskenimin e Masakrës së Paraqinit të bërë nga sigurimi jugosllav, në shenjë të krijimtit të urrejtjes mes popujve të federates jugosllve kundër popullit shqiptar. Për Azizin u tha se ditën e fundit të lirimit nga armata kishte vrarë dhe plagosur disa ushtarë të nacionaliteteve të ndryshme. Megjithëse dhoma ishte plotë nuk doli asnjë dëshmitar, prandaj u akuzua Azizi dhe u vra pas shpine në të njëjtën ditë më 3 shtartor 1987 jashtë kazerme.
4. Abedin Sahit Krasniqi, u lind në Bardh të madh të Fushë Kosovës më 1970. Më 15 qershor 1991 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në Manastir të Maqedonisë. Më 14 shtator 1991 e dërgojnë në VP 13-18/6 në Knin të Kroacisë. Abedinin e dërgojnë në lloogoret e luftës, por pasi ai nuk ishte i sigurt që të dërgohej në fronte sepse nuk pranonte të shkonte u vra nga Radolub Danoviç, i biri i komandantit të garnizonit të Shkupit Aleksandër Danoviç, më 11 .02. 1992. Në shtëpi ju thanë se është vrarë në frontin e luftës kroate.
5. Agim Salih Gllareva u lind më 7 korrik 1971 në Vërbovc të Gllogovcit. Në armatën jugosllave shkon më 1990 në Kërçovë të Maqedonisë. Prej këtu e transferojnë në Dvor na Uni të Kroacisë. Aty vritet më 14 tetor 1991. Nuk ka shënime. U vra në luftë.
6. Besim Xhemë Bajraktari u lind më 1958 në Junik të Deçanit. Më 1980 mobilizohet në kazermën e Bihaçit (Bosnje e Hercegovinë). Më 5 gusht 1981 pranë Aeroportit të Ri të Banjallukës e vrasin eprorët e tij. Familjes së tij iu tha se ishte vrarë në një aksident komunikacioni, por pas hapjes së arkivolit u pa se trupi i tij ishte i mbushur me plumba automatiku.
7. Fadil Selim Bërdynaj lindi më 1973 në Radavc të Pejës. Më 7 maj 1985 mobilizohet në armatën jugosllave në Prilep të Maqedonisë. Më 23 qershor 1985. Nga presioni psikik e fizik, thuhej se Fadili bëri vetëvrasje, por fjala ishte për një vrasje me dhunë, sepse nuk kishte shenja të tjera.
8. Jetullah Haxhi Desku u lind më 15. 05. 1970 në Siçevë të Klinës. Më 18 mars 1990 mobilizohet në ushtrinë jugosllave VP 5920/12D të Suboticës (Vojvodinë). Pas dy muajve vritet në Kazermën “14 vojvogjanska divizija”, më 18 maj 1990.
9. Nazmi Abdullah Muja u lind më 25 maj 1962 në Gradicë të Gllogovcit. Në armatën jugosllave shkoi në shtator 1981, në Mostar të Bosnje e Hercegovinës, VP 7394/15. Më 25 maj 1982 oficerët e KOS-it e hodhën nga kati i tretë dhe thanë se bëri vetëvrasje. Vrasës të tij ishin oficerët: kapiteni Ante Allajbeg (VP 73-94 Mostar), nënkolonel Simeon Tumanoviç (VP 3945 Sarajevë), dhe nënkolonel Aleksandër Vasilieviç (VP 945 Sarajevë).
10. Raif Adem Isufi u lind më 5 maj 1960 në Kotorr të Skënderajt. Në tetor të vitit 1986 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në Bileçe të Bosnjë Hercegovinës. U aktivizua komandant reparti në Bohinjsko Bello të Sllovenisë. Më 5. 12. 1987 në orën 22 e njoftojnë se gjoja ushtarët shqiptarë në kazermën e Bohinjsko Bello po rrahën me ushtarët tjerë. Raifi gjendej në kazermën e Bledit. E urdhërojnë të shkojë atje por veturë nuk i dhanë. Niset këmbë me dy shokë të tjerë. Rrugës e sulmojnë me një xhip ushtarak dhe e mbysin, ndërsa plagosin rend një ushtar tjetër nga Koshutova e Mitrovicës, i cili mbetet invalid i përjetshëm dhe me plagë më të lehta ushtari nga Presheva.
11. Shaban Sadik Prushi u lind më 1961 në Prush të Gjakovës. Në ushtrinë jugosllave u mobilizua në postkomandën e Garnizonit të Banjallukës, VP 6372/3. Në vitin 1981 u soll i masakruar nga ushtria dhe u varros pa dhënë asnjë informatë për familjen.
12. Osman Hajdar Ismajli u lind më 20 gusht 1968 në Gërbavc të Medvegjës. Në armatën jugosllave në kazermën “Marshal Tito” në Titograd të Malit të Zi. Më 8 korrik 1988 u gjet i masakruar në lumin Moraça. U tha se kishte bërë vetëvrasje!
13. Setar Mustafë Ramadani u lind më 1972 në Osek Hilë të Gjakovës. Më 1991 u mobilizua në armatën jugosllave, të cilin e dërguan në frontin e luftës serbo-kroate. Nga mbrapashpina u vra më 1 shtator 1991 në Trebinje të Kroacisë, “sepse nuk kishte zbatuar urdhërat serbe!”
14. Yzeir Rrustem Sadiku u lind në fshatin Rahovicë të Preshevës më 25 janar 1957. Në vitin 1981 mobilizohet në ushtrinë jugosllave, garnizoni “Lora” të Splitit. Më 12 prill 1982, sipas një informate të tërthortë të oficerit Franjo Tot, oficeri i lartë i shërbimit ushtarak Frane Dobravqiç e ka thirrur Yzeirin në raport dhe e ka hedhur nga kati i tretë, ku ka pësuar lëndime për vdekje.
15. Haki Rexhep Shatri u lind më 9.07.1958 në Tomoc të Istogut. Më 2 shkurt 1985 mobilizohet në armatën jugosllave. Ishte stomatolog në VP 2667/9 të Novi Sadit. Pastaj e transferojnë në Garnizonin Ushatrak të Sarajevës. Ditën e fundit të shërbimit e vrasin në pabesi. U tha se bëri vetëvrasje në gjendje të rend nervore!
16. Hamit Jahë Haxhiu u lind më 1. 5. 1957 në Batushë të Gjakovës. Ishte kapiten i klasit të parë në Garnizonin e Nishit. Më 1 .2. 1990 një ekspeditë tankiste nga Nishi pa pjesëmarrjen e Hamitit ishte hyrë në Podujevë dhe kishte vrarë një qytetar para shtëpisë (Fadil Tallën). Në shenjë aktiviteti për të mbuluar reagimin e mëvonshëm të Hamitit, atë e helmojnë dhe vdes më 22 qershor 1990.
17. Ejup Fejzë Sahiti u lind më 2.2. 1961 në Papaz të Ferizajit. Më 1984 mobilizohet në shërbimin ushtarak në Valevë të Serbisë VP 2666. Disa ditë pa mbaruar ushtrinë, me të marrë rrobet civile vritet. Nuk kishte asnjë shpjegim nga ushtria. Edhe gjyqi ushtarak u mbajt por nuk u dhanë informacione për familjen.
18. Rasim Ramadan Zeka u lind më 1.5.1961 në Metërgofc të Podujevës. Më 4 nëntor 1981 mobilizohet në Garnizonin e Komandës Ushtarake të Sinjit (Kroaci), në VP 2427/12. Më parë familja kishte informata se ai po torturohej nga sigurimi ushtarak dhe shkojnë ta vizitojnë por nuk u lejohet. Në natën në mes të 6 dhe 7 prillit 1982 ushtarakët, kapiteni Filipoviç, koloneli Zdravko Barac, majori Janko Milobratiq dhe kapiteni Ivan Kovaqeviç e varën në kabllon e rrymës në kuzhinën e kazermës.
19. Xhavit Alush Berisha u lind më 16. 11. 1967 në Prugovc të Prishtinës. Më 17 shtator 1989 mobilizohet në ushtrinë jugosllave, në Sombor të Kroacisë, VP 3065/4-3. Vetëm dy muaj më vonë e dërgojnë në klinikën ushtarake të Beogradit. Më 12.12.1989 vdes dhe dërgohet pa asnjë shënim për varrim. U helmua.
20. Sami Daut Shabani u lind më 21..1961 në Zaskok të Ferizajit. Në maj të vitit 1985 shkon ushtar në kazermën ushtarake të Koprivnicës (Kroaci), VP 3790/42. Më 9 janar 1986 vritet pas shpine. U varros pa asnjë dëshmi dhe nënmbikëqyrje ushtarake.
21. Ismet Muharrem Bojku u lind më 3 prill 1962 në Gjakovë. Jetonte në Deçan. Më 8 tetor 1981 e dërgojnë urgjentisht në shërbim në Garnizonin Ushtarak të Shtipit VP 444/4 VE-1, në Maqedoni. Më 19 shtator 1982 është helmuar nga komandanti Zvonimir Kostiq dhe me të ardhur në shtëpi vërejti pasojat e helmimit. Komanda ushtarake nuk pranoi rishikimin as Spitali i Shkupit. Vdiq në përjekje për të jetuar më 7 tetor 1982 në spitalin e Pejës.
22. Sami Ali Gashi u lind më 1961 në Prishtinë. Në armatën jugosllave është mobilizuar në shtator 1980, në Garnizonin e Kikindës (Vojvodinë), e pastaj është transferuar në garnizonin ushtarak të Vërshacit (Vojvodinë). Pas disa ditë bisedash në sigurimin ushtarak, më 8 gusht 1981, vritet duke marrë një breshëri plumbash në gjoks.
23. Ali Nazif Sahiti u lind më 1971 në Komogllavë të Ferizajit. Më 15 mars 1991 është mobilizuar në armatën jugosllave në Garnizonin e Shtipit (Maqedoni) VP 6381/3, ndërsa më 22 mars 1991 në VP 6381/22. Më 14 shtator 1991 e transferojnë në frontet e luftës në Sllunj të Kroacisë VP 7260/5. Ali e ndiente rrezikun nga brenda më shumë se nga jashtë dhe për këtë i shkruante edhe familjes dy muaj më parë. Më 19. 12. 1991 një ushtar nga Rashka (Serbi) e vret në mes të poligonit të kazermës, por ushtria e mbajti në morg 26 ditë me radhë pa e njoftuar familjen.
24. Sefer Bislim Çukoci u lind më 1976 në Cërnillë të Ferizajit. Në vitin 1993 organet shtetërore e kërkojnë ushtar për ta dërguar në frontet e luftës, por Seferi nuk përgjigjet dhe del në ilegalitet. Më 23 gusht 1993 policia dhe ushtria e rrethojnë fshatin e tij të lindjes dhe e vrasin Seferin ende pa i veshur rrobat ushtarake.
25. Fahrush Emrush Emini u lind më 1.12.1971 në Zhiti të Vitisë. Më 16 mars 1991 mobilizohet urgjentisht në ushtrinë jugosllave në Derventa të Bosnje Hercegovinës, VP 8840/10. Më vonë e transferojnë në Banjallukë. Nga Banjalluka e dërgojnë në frontet e luftës në Staragradishka. Më 16 shtator 1991 goditet me një predhë nga mbrapa në kokë dhe vdes. Në shtëpi u dërgua pa shjegime.
26. Bedri Nimon Bajgora u lind më 5.3.1959 në Vushtrri. Më 1986 mobilizohet ushtar në garnizonin ushtarak të Pirotit (Serbi) VP 8297/39. Në tre muajt e fundit Bedriu merret vazhdimisht në biseda informative. Më 14 janar 1987 gjendet i varur në parkun e makinave.
27. Halil Halim Binaku lindi më 1952 në Gllobar të Gllogovcit. Më 1981 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në Shibenik të Kroacisë. U tregua shumë i zoti në ushtri dhe mori gradën e dhjetarit. Në mesnatën e 26 nëntorit 1982 u vra në tradhëti.
28. Tahir Azem Gashi lindi më 25. 7. 1971 në Vërbovc të Gllogovcit. Më 16 qershor 1991 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në Osjek të Kroacisë, VP 5530/10. Vetëm një javë pas fillimit të ushtrimeve dërgohet në frontet e luftës kundër forcave çlirimtare kroate, por ushtria jugosllave humb luftën dhe fortifikohet në kazermë duke i detyruar vetëm ushtarët shqiptarë që të bëjnë roje. Më 16 shtator Tahiri plagoset rëndë dhe pas tri ditë vuajtje vdes në një veturë, kue gjejnë ushtarët kroatë dhe e varrosin në varrezat qendrore të Osjekut.
29. Tafil Zahir Hyseni lindi më 7. 5. 1962 në Lumbardh (Velikorekë) të Podujevës. Më 3 dhjetor 1984 mobilizohet në ushtrinë jugosllave, por i dërrmuar nga jeta në burgje lirohet përkohësisht . Më 17.12.1986 rekrutohet në Ajdovqinë të Sllovenisë VP 1266/8B. Nuk e lejojnë të vizitohet asnjëherë nga familja, prandaj më 4 shtator 1985 largohet nga kazerma pa leje drejt shtëpisë. Sigurimi ushtarak e kap dhe e kthen në kazermë, ku ushtrohet dhunë deri në vdekje. U tha se bëri vetëvrasje.
30. Afrim Bahtir Hyseni lindi më 1. 7. 1970 në Lumbardh (Velikorekë) të Podujevës. Më 17 mars 1991 mobilizohet dhunshëm në armatën jugosllave në Vernik të Vojvodinës. Në ndërkohë në kazermë kupton se do t’i dërgojnë në luftë në frontin e Vukovarit. Në fillim të prillit heq uniformën ushtarake dhe ik nga kazerma dhe vjen në vendlindje. Dy javë qëndron në ilegalitet, por pas dy javësh policia rrethon fshatin dhe e ekzekuton Afrimin me refal automatiku në mes të fshatit duke e lënë kështu dy ditë për ta parë të gjithë.
31. Shefqet Avdyl Prekazi lindi më 1952 në Prekaz të Gllogovcit. Më 1982 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në Novi Sad. Më 22 tetor 1982 në vizitë i shkon i vëllai dhe vendosen në Hotel “Novi Sadi”. Më 24 tetor 1982 policia speciale e godet Shefqetin në lift me një mjet të fortë dhe e hedh në gropën e liftit.
32. Ibrahim Isuf Kastrati lindi më 1962 në Turjakë të Rahovecit. Më 1984 mobilizohet në Garnizonin e Suboticës. Pas një përleshje ushtarësh Ibrahimi intervenon dhe shuan rrahjen, por pasi kjo rrahje mes ushtarësh ishte e programuar nga policia sekrete Ibrahimi dënohet me pesë vjet burg të rëndë. Më 30 shtator 1987 vritet në qelinë e burgut në Pozharevc.
33. Miftar Sylë Tali lindi më 15.2.1965 në Babaj të Bokës, Malësia e Gjakovës. Më 20 qershor 1986 mobilizohet në ushtrinë jugosllave në garnizonin e Pazinit, në Istri të Kroacisë, VP 6116/11, ndërsa më 15.1.1987 transferohet në VP 4969 të Pazinit. Për shkak se ishte familje kufitare në Miftarin bëhet presion që të bashkëpunojë për nevoja ushtarake kundër popullatës kufitare. Miftari nuk pranon dhe e njofton familjen se ka kaq shumë presion sa nuk beson të kthehet gjallë në shtëpi. Qëndon më shumë në burgje e spitale se sa në ushtri. Më 23 prill 1987 e njoftojnë familjen dhe e lëshojnë Miftarin me shumë plagë në trup. Në trenin Zagreb –Beograd Miftari ishte bashkë me vëllain Haxhiun. Policia speciale u hodhi sprej syve dhe tërhoqi Mitarin duke e hedhur për dritare nga treni afër qytetit të Kutinës (Kroaci). Haxhiu e kupton këtë vetëm pasi arrijnë në Beograd, por policia ushtarake nuk e lejon ta kërkojë as në kupetë e trenit dhe e urdhërojnë që të shkojë në shtëpi. Vetëm tri ditë më pas trupi i shkatërruar i Miftarit kthehet në shtëpi.
34. Adem Binak Osmanaj lindi më 29. 12. 1963 në Turbuhovc të Istogut. Më 9 tetor 1982 mobilizohet në garnizonin e Lubljanës (Slloveni). Me të arritur në kazermë fillon dhuna mbi të. Në një letër familjes, i njofton se nuk e di a do të mund të kthehet i gjallë në shtëpi. Në natën 5 qershorit 1983 e hedhin në hekurudhën e trenit dhe e vrasin.
35. Abedin Selman Bala lindi më 30. 12. 1960 në Korreticë të Gllogovcit. Ishte njeri me një intelektualitet të jashtëzakonshëm Njihte shumë gjuhë. Më 4. 1. 1981 mobilizohet në Maribor të Sllovenisë VP –3672/1. Më vonë e dërgojnë në Postonjë (Slloveni) VP 1427. Ditën që lirohej u organizua një proces policor dhe u arrestuan 15 shqiptarë gjoja të organizuar të cilët pas nëntë muajve u dënuan nga 3 deri në 13 vjet burg të rëndë. Abedini mbajti burgun në disa vende të Jugosllavisë, deri në natën ndërmjet 11 e 12 janarit 1985 kur policia ushtarake hyri në qelinë e burgut dhe e mbyti përdhunshëm. U tha se bëri vetëvrasje!
36. Afrim Muhamet Lushtaku lindi më 21 janar 1966 në Prekaz të Skënderajt. Më 14 qershor 1998 mobilizohet në Kranj të Sllovenisë VP 1988. Më 28 qershor 1998 në poligonin e kazermës fshehtas u sulmua me thikë nga mbrapa. U tha se vdiq nga infarkti!
37. Ali Sinan Rrustemi u lind më 1972 në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Më 16 qershor 1991 u mobilizua në garnizonin ushtarak të Trebinjes (Bosnje e Hercegovinë), VP 6143/8. Më tej e transformojnë në Prevllakë. Pastaj në nëntor 1991 shkon në Knin VP-1318/31. U vra nga prapa (oficeri i tij) në fshatin Puhin Han të Kluçit të Bosnje e Hercegovinës.
38. Besim Hashim Fazliu u lind më 15 janar 1967 në Prishtinë. Më 19. 1. 1987 u mobilizua në garnizonin ushtarak të Lubljanës, VP 50028. Më 13. 12. 1987 u dërgua për të ngrënë bukë më herët se gjoja kishte punë në magazinë. Me të ngrënë lugët e para të gjellës kuptoi se ishte helmuar ndërsa arriti t’i shohë edhe sigurimin ushtarak që po e përcillte. Vdiq më 31 dhjetor 1987.
39. Enver Salih Maksutaj lindi më 12 shkurt 1970 në Orrobërd të Istogut. Më 18 nëntor 1990 mobilizohet në garnizonin e Gjakovës (Kroaci) VP-6318/18. E detyrojnë të qëndrojë roje tek porta e garnizonit. Më 15 shtator 1990 e godet një predhë nga forcat e armatorura kroate dhe vdes.
40. Fadil Xhafer Gashi lindi më 21 dhjetor 1965 në fshatin Dobërdol të Podujevës. Në gusht të vitit 1984 mobilizohet në Garnizonin e Kralevës (Serbi), VP 8977/6. Më 7 maj 1985 e dërguan roje në Ratina, afër Vërnjaçka Banjës ndërsa mbrapa e ndoqën dhe e vranë pas shpine. U tha se bëri vetëvrasje!.
41. Florim Adem Kasumi lindi më 25 mars 1971 në Tugjec të Kamenicës. Më 25. 12. 1990 mobilizohet dhunshëm në ushtrinë jugosllave në Karllovc të Kroacisë VP 3293/23. Më 23 qershor 1991 vritet në luftë në afërsi të qytetit slloven Novo Mesto.
42. Gëzim Sefer Hasani lindi më 11 nëntor 1971 në Strofc të Vushtrrisë. Më 15 qershor 1991 shkon ushtar në Bërçko të Bosnjë e Hercegovinës VP-9840/6. Më vonë e transferojnë në Bllazhuj të Sarajevës, VP-9785. Më 9 prill 1992 plagoset për vdekje. Vdes më 16 prill 1992, në Zagreb.
43. Haki Dinë Morina lindi më 26 nëntor 1970 në Gllarevë të Klinës. Më 19 mars 1991 mobilizohet në garnizonin ushtarak të Tivarit, VP-6330-20/4. Më pastaj e transferojnë në Trebinje (Bosnje e Hercegovinë) VP-6143/6. Më 23 tetor 1998 e nxorën në vijën e parë të luftës dhe e vranë pas shpine. U tha se shkeli në minë, por kur u hap arkivoli u gjetën plumbat në trup nga mbrapa.
44. Inajet Fuad Istrefi lindi më 1966 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Në janar 1986 mobilizohet në armatë në kazermën e Petrovaradinit afër Novi Sadit (Vojvodinë). Më 12 qershor 1986 deri sa ishte në roje një dorë e fshehur zbrazi një karikator plumbash në trupin e tij.
45. Izet Sadri Bushi lindi më 1971 në Pustenik të Kaçanikut. Më 28 qershor 1990 rekrutohet në armatë, në Çupri të Serbisë, VP 4418/7. Natën e vitit të ri, 31 dhjetor 1990 papritmas e detyrojnë të shkojë në rojë në një vend të pazakonshëm. Mbrapa, në mëngjesin e 1 janarit i shkon ushtari kriminel Predrag Nikoliq i cili gjuan në të. Izeti ashtu i plagosur arrin ta kapë, por mbrapa Nikoloqit terroristi tjetër zbraz një karikator plumbash mbi të.
46. Lulëzim Faik Rexhepi lindi më 19 shtator 1967 në Zabel të Epërm të Gllogovcit. Më 16. 12. 1990 mobilizohet dhunshëm në ushtrinë jugosllave. Shkon në Vitoviricë të Kroacisë, VP-1530/16. Më 16 1. 1991 Lulëzimin e vranë njëherë e pastaj e hodhën nën rrotat e trenit, për të thënë se bëri vetëvrasje.
47. Mustafë Arif Pantina lindi më 13 shtator 1963 në Gllarevë të Klinës. Në prill të vitit 1963 mobilizohet në garnizonin ushtarak të Derventës (Bosnje e Hercegovinë). Për katër muaj me radhë, sikur e shpjegonte në letra ju nënshtrua presionit ushtarak, ndërsa më 1 gusht 1983 në poligonin e kazermës u vra me snajper. U tha se e vrau veten duke marrë një kokër mollë në degë.
48. Muhamet Raif Biçkaj lindi më 1 nëntor 1971 në Hogosht të Kamenicës. Më 14 qershor 1991 mobilizohet dhunshëm në postën ushtrake të Dugo Sellos (Kroaci). Dy javë më vonë shpërthyen luftimet në Kroaci. Muhameti nuk pranoi urdhërat të dalë në frontin e luftës, prandaj u vra më 29 korrik 1991.
49. Muharrem Mehmet Rrobeli lindi më 7 mars 1971 në Laqiç të Kamenicës. Më 17 mars 1991 mobilizohet në Knin të Kroacisë, në VP 1318/18 në Kazermën “Boshko Zhuniq”. Në prill 1991 shpërthyen luftimet. Më 30. 8. 1991 një ushtar nga Strumica e Maqedonisë, i yshtur nga një dorë e zgjatur e sigurimit ushtarak e qëlloi me breshëri armësh nga afërsia. Ndaj tij nuk u mor as masa e arrestit.
50. Mumin Hafiz Shkodra lindi më 8 mars 1970 në Sadovinë të Çerkezëve të Vitisë. Më 15 mars 1991 rekrutohet në Garnizonin VP 7375/2 të Mitrovicës së Sremit (Serbi). Më 2 tetor 2001 në lokalitetin e Shidit u vra “me gjasë, pas shpine”.
51. Neshat Xhafer Gashi lindi më 1969 në Orrobërd të Istogut. Në mars 1988 mobilizohet në Ribnicë të Sllovenisë, VP 1297/24. Pas shumë përndjekjesh dhe detyrimesh që çdo ditë të mbajë roje në kazermë, Neshati njofton të motrën se i është përgatitur vrasja. Më 16 maj 1988 u sulmua por kishte fat dhe nuk u qëllua. Më 18 maj 1998 po në të njëjtën roje, sulmohet me breshëri armësh dhe vritet. Nuk u dha asnjë shpjegim.
52. Xhevdet Hajredin Aruçi lindi më 12 qershor 1966 në Rrezallë të Skënderajt. Më 19. 5. 1990 urgjentisht u mobilizua në Tuzëll të Bosnje Hercegovinës. Më 27 qershor 1990 një bandë ushtarësh, të drejtuar nga një oficer i Garnizonit me shufra hekuri e masakruan deri në vdekje.
53. Qerim Abdurrahman Aliu lindi më 25 nëntor 1961 në Kumanovë. Më 1981 mobilizohet në Vitoviricë. Më 28 gusht 1981 dërgon një telegram në shtëpi që ta vizitojnë sepse ishte i sëmurë! Familjarët shkojnë menjëherë në kazermë, por marrin përgjegjen nga komandanti: ai ka bërë vetëvrasje!.
54. Qamil Ramadan Thaçi lindi më 26 korrik 1968 në Demjan të Hasit të Thatë (Gjakovë). Në qershor 1988 e mobilizojnë në armatë, në Osjek të Kroacisë, VP 5530/41. Mbi Qamilin u bë një provë helmi. Papritmas iu dhanë 7 ditë pushimi. Dy veta e sollën deri në të hyrë të fshatit dhe pastaj u zhdukën. Në natën e parë filluan dhembjet e forta, ndërsa Qamili arriti vetëm të thoshte se “Më helmuan!”. Vdiq më 25 mars 1989. Ushtria nuk dha asnjë shpjegim.
55. Rexhep Zijadin Ahmeti lindi më 30 prill 1972 në Dobratin të Podujevës. Më 15 prill 1991 mobilizohet në Mostar të Bosnje e Hercegovinës, VP 7394/13. Më 13 qershor 1991 gjatë ushtrimeve një dorë oficeri pas shpine ia shkrepi katër plumba në kokë. Vdiq më 3 gusht 1991.
56. Samedin Fazli Krasniqi lindi më 26 shtator 1963 në Terpezë të Gllogovcit. Më 24 dhjetor 1990 pas shumë ikjesh mobilizohet në Llastovë të Kroacisë. Më 17 gusht 1991 e transferojnë në Shibenik. Samedini ishte ushtar i pasigurt sikur edhe gjithë ushtarët shqiptarë. Sipas ushtarit Muharrem Ahmetaj nga Korisha oficeri Urosheviq e nxori nga rreshti Samedinin dhe e dërgoi në raport me akuzën se po e organizon dezertimin e ushtarëve shqiptarë. Natën kazerma rrethohet nga ushtarët kroatë të lirisë. Urozheviq i nxjerr ushtarët në vijën e parë dhe jep urdhër që të qëllojnë kroatët, por Samedini nuk gjuan. Urosheviq pasi urdhëron disa herë Samedinin që të gjuajë dhe Samedini nuk zbaton urdhërin, e sulmon me armë automatike plumba dum-dum dhe pasi e palgos ikë duke e lënë ushtrinë vetëm.
57. Selman Shpend Metaj lindi më 18 shtator 1971 në Shushicë të Istogut. I përndjekur nga ushtria mobilizohet në ushtrinë jugosllave në mars 1991, në Knin të Kroacisë, VP 1318/14. Më 20.9.1991 goditet nga një predhë në kokë në Pavkovo Sello, afër Shibenikut (Kroaci).
58. Vahedin Xhimshit Hajrizi lindi më 22 tetor 1969 në Kuklibeg të Dragashit. Më 18 dhjetor 1989 urgjentisht mobilizohet në ushtri, së pari në Sombor e pastaj në Divulja të Trogirit (Kroaci). Ishte i rrezikuar vazhdimisht dhe këtë ia kishte thënë babait në telefon, por babai i tij nuk arriti ta tërhiqte. Bisedat e tij i përcolli sigurimi ushtarak dhe Vahedinin e vrau vetëm pas tre muajve më 26 prill 1990.
59. Enver Shaban Ramadani lindi më 18 janar 1989 në Brojë të Skënderajt. Më 1988 mobilizohet në ushtri, në Vitoviricë të Kroacisë. Në dhjetor 1988 i shkon për vizitë i vëllai, por nuk e lejojnë ta shpehë sepse sipas oficerëve Enveri ishte kokëfort. Më 14 janar 1989 oficeri i tij e nxjerr nga dhoma në mesnatë Enverin, me arsyetim se duhet të shkojë në raport. Në mëngjes ushtarët lajmërohen se Enveri bëri vetëvrasje.
60. Naim Ramadan Ajgeri lindi më 1968. Në shtator 1987 mobilizohet në ushtrinë jugosllave, në Ajdovçinë të Sllovenisë. Në emër të një fakti se Naimi paska thyer fotografinë e Titos në kazermë, torturohet deri në vdekje më 14 prill 1988.
*Këta janë vetëm disa nga ushtarët shqiptarë të vrarë në ish-Jugosllavi, të cilët i janë prezantuar lexuesit boshnjak në një libër të përbashkët të botuar në Sarajevë në vitin 2004.
(Begzad Baliu, Ushtaret shqiptare te vrare ne ushtrine jugosllave, në librin e gjeneralit boshnjak Nihad Halilbegović, Mama, moram im glavu dati : stradanje vojnika-regruta u bivšoj JNA i njihovo spašavanje. Publisher, Halkomex, 2002, ISBN 9958930625, 9789958930621, 387 pages.).