Ushtarët turq drejt Rusisë për trajnimin anti-raketor
Personeli ushtarak turk, i ngarkuar me operimin e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 do të arrijë në Rusi në fund të majit. Lajmi është bërë i ditur për mediet turke nga një burim ushtarak rus. “Në fund të majit, rreth 100 ushtarakë turq do të fillojnë trajnimin në një qendër ushtarake ruse për të operuar sistemet e mbrojtjes raketore S-400”, citon burimi anonim i “TASS”.
Sistemet S-400 do të dorëzohen në Turqi nga eksportuesi i pajisjeve ushtarake të Rusisë, “Rosoboronexport” deri në fund të vitit, ashtu siç është planifikuar.
Personeli ushtarak turk, së bashku me personelin nga Kina do të trajnohen në një qendër ushtarake. “Trajnimi anti-raketor nga Kina dhe Turqia do të përfaqësojë një rast të pashembullt në historinë e (ish-Bashkimit Sovjetik) dhe Rusisë moderne”, tha burimi për TASS.
Nga ana tjetër, ShBA-ja ka paralajmëruar presidentin Rexhep Taip Erdogan që të mos blejë raketa nga Rusia, pasi në të kundërt do të ketë sanksione të ashpra ndaj Turqisë.