Ushtarët turq ua çajnë drutë të moshuarve
Ushtarët turq kanë ofruar ndihmë për personat e moshuar pasi ata nuk kanë të drejtë të largohen nga shtëpitë si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Grupet për ndihmë sociale janë themeluar për të ofruar ndihmë për të moshuarit që kanë nevojë për plotësimin e nevojave ditore. Ata tashmë mund të thërrasin në një numër emergjent në rastet kur kanë nevojë për diçka.
Një nga personat që e shfrytëzoi këtë mundësi ishte Cerkez Tarhan, 73-vjeçar, nga provinca lindore e Vanit, shkruan “Anadolu”, transmeton Express.
Ushtarët turq shkuan në shtëpinë e tij për t’i dërguar furnizime me ushqim, madje i ndihmuan edhe për çarjen e drunjve.
Ministri i Brendshëm turk tha javën e kaluar se personat mbi moshën 65-vjeçare që vuajnë nga sëmundjet kronike nuk kanë të drejtë të largohen nga shtëpitë si pjesë e masave kundër koronavirusit.
Në Turqi deri më tani janë regjistruar mbi 7 400 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 108 persona kanë vdekur.