Ushtari amerikan ribashkohet me qenin që e shpëtoi në Kosovë
Specialisti i ushtrisë amerikane Landon Gnade nga Atlanta, Gjorgjia, ishte së fundmi me mision nëntëmujorë në Kosovë. Ai e kishte gjetur një qen të quajtur Lepo në kampin e tij.
Edhe pse nuk po kërkonte të krijonte një raport, ushtari u lidh me qenushin.
Siç raporton media amerikane “Fox5Atlanta”, Landoni dhe Lepo u bënë miq.
“Isha i tronditur sesi ky qen erdhi drejt meje dhe vendosa që ai kurrë të mos largohej nga unë. Ai kishte disa probleme shëndetësore që i pagova për t’i trajtuar dhe gjatë muajve të ardhshëm u bëmë miqtë më të mirë”, ka thënë Landon.
Kur misioni i Landonit ka përfunduar në tetor, zemra e tij u thye pasi duhej të linte Lepon pas.
Media amerikane shkruan për organizatën jofitimprurëse “Paws of War”, e cila ka thënë se ka ribashkuar pjesëtarët ushtarakë me kafshët për më shumë se një dekadë. Një ushtar i kontaktoi ata për t’iu treguar për lidhjen e Landonit dhe Lepos.
“Paws of War” nisën punën duke ia siguruar një pasaportë Lepos dhe duke u siguruar që ai të mund të bashkohej me Landonin në shtëpinë e këtij të fundit, dhe të financonte transportin e tij në Amerikë.
“Trauma e një ushtari që duhet të lërë një kafshë pas – ata edhe ashtu bëjnë kaq shumë sakrifica, dhe ne nuk duam që ata të bëjnë kurrë më atë sakrificë”, ka thënë Gary Baumann nga “Paws of War”.
Landon është mirënjohës që e ka kthyer Lepon, duke shpjeguar se si shoqëria e qenushit e ka ndihmuar atë të përshtatet me jetën në vend.
“Jam shumë me fat. Nuk mund t’ju tregoj se sa i lumtur jam tani me të këtu”, ka deklaruar specialisti i Ushtrisë Amerikane, Landon Gnade. “Është ngushëlluese. Është e mrekullueshme, sepse nuk po e kaloj kohën i vetëm. Ai është aty pranë meje”.