Ushtari i FSK-së, Liridon Selimi, zë vendin e dytë në garën ushtarake ndërkombëtare në Kroaci
Në mesin e pjesëmarrësve nga trembëdhjetë shtete të botës, garues të Garës Ushtarake Ndërkombëtare në Republikën e Kroacisë, ushtaraku i Forcës së Sigurisë të Kosovës, tetar Liridon Selimi (Kompania e Operacioneve Civile) zuri vendin e dytë, duke u renditur pas ushtarakut rumun rreshter Mera Dorel Silviu si dhe duke lënë pas ushtarin amerikan William Hennesy.
Konkursi i këtij viti është organizuar nga Komanda e Trajnim dhe Doktrinës “Fran Krsto Frankopan” të Ushtrisë Tokësore kroate.
Konkurrentët dhe pretendentët nga tri kategori, një total prej 146 ushtarakësh, kanë zotëruar gjatësinë e përcaktuar të garës prej 40 kilometrave, në kazermën “Josip Joviç” si dhe fushën e Krbavas.
Gara u zhvillua në fazën kualifikuese, pra gjuajtja kualifikuese me armë, që u mbajt më 9 maj 2019 si dhe gara kryesore ku sipas planit duhej të kalohej distanca prej 40 kilometrash, më 12 stacione punuese dhe tetë pika kontrolli.
Stacionet punuese në të cilat u sfiduan ushtarakët garues ishin: navigimi, hedhja e granatës, poligoni i kalitjes, gjuajtje me VHS D2 (automatik), gjuajtje me HS – 9 (pistoletë), gjetja e lokacionit në hartë, identifikimi dhe kontrolli i personit, ndihma e parë në fushëbetejë, gjuajtja me AT-4 (antitank), kalimi i zonave të minuara dhe kontaminuara, kalimi i lumit mbi litarë dhe thirrje për zjarr indirekt.
Kosova, përkatësisht ushtria e saj, në Garën Ushtarake Ndërkombëtare në Republikën e Kroacisë u përfaqësua nga dy ushtarakë të rinj, rreshter Lorik Ramaj dhe tetar Liridon Selimi, ku ky i fundit tregoi sukses të madh në garë duke fituar vendin e dytë.