Ushtari i FSK-së për gjendjen në Turqi: Pak është të thuhet tmerr
Të rëndë e ka përshkruar gjendjen në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi, njëri nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës, i cili ka qenë për dy javë pjesë e misionit të kërkim-shpëtimit. Ai bashkë me 38 pjesëtarë të FSK-së të hënën mbrëma janë kthyer në Prishtinë.
“Fatmirësisht karshi situatës së rëndë, ia kemi dalë mirë me personel. Nuk është lënduar askush, s’është dëmtuar askush, kjo është me rëndësi. Përndryshe gjendja atje, pak është të thuhet tmerr… Një qytet komplet i rrënuar”, ka thënë për KOHËN, V.Raci, pjesëtar i FSK-së.
Ai dhe kolegët e koleget e tij ushtarë të FSK-së, në një ceremoni të organizuar në ambientet e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, janë nderuar me medalje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përveç nga Kurti, ata janë pritur edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
Pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve, kryeministri Kurti i ka falënderuar ushtarët e FSK-së për guximin e treguar.
“Këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes sonë dhe e mirënjohjes për guximin që keni treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike, që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës. E di që 39 pjesëtarë të FSK-së ishin në Hatay e në zona të tjera të goditura nga tërmeti. I falënderoj sikurse ata që ishin në kërkim-shpëtim urban, po ashtu edhe mjekët dhe ata që u kujdesën për të plagosurit. E dimë se së paku janë shpëtuar 4 jetë nga ana e juaj, dhe mbi 50 kufoma janë nxjerrë nga rrënojat në Hatay nga ju”, ka deklaruar Kurti.
Edhe ministri Mehaj ka vlerësuar angazhimin e ushtarëve.
“Rastet e tilla të fatkeqësive janë momentet të cilat përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit, dhe në këtë rast gatishmëria e menjëhershme e pjesëtarëve të FSK-së për të ofruar ndihmën tuaj në operacionin e kërkim-shpëtimit miqve tanë turq, tregon për një fisnikëri e ndjenjë mirësie që tejkalon njerëzoren”, ka shkruar Mehaj në Facebbok.
Pjesëtarët e FSK-së nuk janë pritur vetëm nga krerët institucionalë. Jashtë dyerve të Aeroportit me buqeta në duar dhe lot në sy i kanë pritur më të afërmit e tyre.
“Jemi ndier shumë mirë dhe krenarë. Respekt kemi pasë për të gjithë”, ka thënë familjari i një ushtari.
Ekipi i FSK-së ka shkuar në Turqi dy javë më parë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit shkatërrues 7.8 ballë Rihter që tronditën Turqinë e Sirinë. Si pasojë e tërmetit janë regjistruar mbi 47 mijë viktima në të dyja vendet, ndërkohë që ende kërkohen trupa të tjerë nën rrënoja.