USHTARI IM
ISMAIL BAHTIRI – LIPJAN-HANOVER
Dalja jote në skenë. Nuk kam fjalë t’i përshkruaj ato çaste. O perëndi, o shenjtëri, gëzimi nuk kishte kufi. Sytë e shpirtit tim ishin të humbur në bukurinë e uniformes tënde, kur në ballin tënd e pashë emblemën UÇK. Ku emocionet me vlonin e zemra me rrahë si çekan farkëtari, sikur donte të fluturojë e të ikën nga gjoksi im.
Nuk ka gjë më të ëmbël se shpresa për një popull të robëruar që nuk kishte njohur gjë tjetër veç nënshtrimit e dëshpërimit. Më ktheve dinjitetin, krenarinë, vlerën që të ndihem njeri, o ushtari im.
Me atë shpirtin e madh fisnik e me ndërgjegje të pastër luftove.
Na ndihmuan edhe miqtë e na sollët lirinë.
Ti, o ushtari im, i orëve të para je meritor që në rrugët tona nuk ka gjak, tym e as punkte (pika) policorë serbe.
E tash në rrugët tona jeta vlon nga të qeshurat e fëmijëve.
Ti ushtari im, ideali i juaj e i joni kur arriti qëllimin, ku në vend të fitores fatkeqësisht vdes, sepse u keq menaxhua dhe u keqpërdor nga një pjesë jo e vogël e shoqërisë.
O ushtari im, ti rè dëshmor dhe lè gjymtyrët në fushë betejës e lavdia e frytet e fitores, nderi e respekti, ty të takon. Nuk di si e çka ndodhi, po këtu kishin gisht edhe te huajt kur filluan intrigat kundër teje.
Ku shumë duar tinëzare u futën në xhepat e fitore tënde dhe donin ta vidhnin respektin dhe humanizmin tuaj.
Në rendë të parë ishin një pjesë e spektrit politik se për t’i mbrojtur privilegjet e tyre të fituara nga proceset paqësore, banalizuan skajshëm me lloj-lloj epitetesh kundër luftës tënde.
Dalin në shesh kriminelet ku bënin krim dhe fshiheshin pas emrit tënd. Pastaj hajnat, ku fitoren tuaj e shndërruan në vjedhje klasike. Edhe ca individ nga radhët tuaja keqpërdorën pozitën që kishin gjatë dhe pas luftës me të mirat materiale, si rastin e fundit me fryrjen e listave të veteranëve.
O ushtari im, në vend që t’i gëzohesh fitores, po ti sikur dole i humbur. Ti mbete rrugëve, sëmundja dhe uria nuk presin, punë nuk kishe, për bukën e gojës e shite edhe gjakun e trupit. E kur nuk kishe zgjidhje, shpëtimin e gjete në litar (duke ia marrë jetën vetës).
Pa drejt të akuzuan, çdo vlerë të mohuan e në fund edhe të dënuan për mëkatet që si ke kryer.
Të vetmen gjë që bëre se ti mbrojte pragun e shtëpisë, katandinë tënde dhe trojet tua, e drejtë hyjnore e natyrore që na ka dhuruar perëndia dhe nëna natyrë.
Ky ishte shpërblimi i shoqërisë sonë. Në fakt vlerat e shtetit dhe shoqërisë dalin në shesh, atëherë kur kthehen ushtarët e plagosur në shtëpi pas një beteje të humbur.
O ushtari im, po ta them, se në hapësirat e trojeve tona, koha nuk ka forcë e as pushtet, që të fshijë nga kujtesa jonë kombëtare madhështinë e veprës tënde.
Po lufta a mundet te kontrollohet?
Lufta ka gëzimet e hidhërimet, ka dhimbjet, ka krenarinë e shëmtinë.
Ka edhe ligjet e veta, të pashkruara e shume gjëra të tjera që dalin jashtë dore.
Mundë të kontrollohen formacionet në zinxhirin komandues, por kurrë lufta e individit. Po nëse e kontrollojmë një territor të caktuar në tërësi, aty nuk do të ketë luftë.
Në luftë ndodhin gjëra të dhimbshme e të tmerrshme.
Pse na ndodhen këto gjëra të shëmtuara gjatë dhe pas luftës?
Ja po e ilustroj.
Shembulli i parë: ZAGARI DHE GJUETARI
Kur zagari është këlysh i vogël e lehë për merak, gjuetari ia hedhë një copë asht dhe zagari i shkon pas.
Kur zagari rritet e bëhet për pre, nuk e mbanë prenë vetë, por gjuetari e merr si dhuratë. Kur zagari plakët e shtrihet për toke, gjuetari nuk e ndihmon, por si dhuratë ia jep një plumb për kokë.
Gjatë dhe pas luftës, strukturat e shërbimit sekret serbe kanë qenë të shtrira në terë Kosovën. Ku edhe sot ende veprojnë i kanë kryer të gjitha krimet, sidomos shërbëtorët e vetë i ka pastruar se nuk i duheshin më.
Shembulli i dytë: VËLLEZËRIT BINJAK
Njëri vëlla e kryen një krim, e dhunon një vajzë të mitur dhe ia merr jetën. Gjatë procesit gjyqësor një gazetar e pyeti vëllain tjetër: “Çka mendoni ju për këtë rast?” Ai përgjigjet: “Unë e dua vëllain tim, por kryerësi i kësaj vepre meriton vdekjen!”
Ngjarja ka ndodhë në gjermani. Ujkonja kur të pjellë, ndodhë që në mesin e këlyshëve të ketë edhe një këlysh qen, ku të cilin e vret menjëherë, sepse kur të rritet do t’i haj këlyshët e tjerë po e la të gjallë. Edhe tradhtari ka të njëjtën fytyrë si te kylshi qen i ujkonjës.
Shembulli i tretë: KA EDHE MË KEQ
Diku, në një fshat të Kosovës, në zonën kufitare me Serbinë, kriminelet serbe bënin masakra gjatë luftës e parë botërorë. Ngjarje e treguar nga gjyshi.
Një çiftit të moshuar i ua marrin dy djemtë, dhe në prezencën e prindërve i ekzekutuan. Kur e ekzekutuan djalin e parë, plaka thuajse u çmendë. Plaku iu kthye: “Ngadalë grua se ka edhe më keq.” Kur ekzekutuan edhe të dytin, plaku prapë tha: „Grua ka edhe më keq.” Plaka e tmerruar: „Po çfarë ka ma keq? Kur na i vranë dy djemtë!” Plaku ja ktheu: “Ka qenë më keq me na i pas vra vëllai.“
Nëse dikush është vrarë për mendim politik, se mendon ndryshe, nga dora shqiptare: ajo dorë u thaftë! Se ky gjak nuk humbet dot. Del e vërteta në shesh, e dorasi të merr dënimin e merituar.
Në kohët e fundit janë çuar ne këmbë lakej e qakej për ta njollosur luftën, e hienat nuk ngopen donë me i ngrënë edhe eshtrat e dëshmorëve te lirisë.
Kur njeriu rrezohet vetë është e vështirë të ngrihesh në këmbë, po të rrezuan të tjerët, do të ngrihesh shumë shpejtë.
Me aprovimin e gjykatës speciale nga Parlamenti i Kosovës, kam frikë se do të kemi pasoja.
Gjyshi me thoshte, biro ne lufte dikujt ne penxhere i çel zambaku, e dikujt i fiket oxhaku.
(S.Z /Epoka e re)