Ushtria Çlirimtare e Kosovës në këngët popullore

13 dhjetor 2022 | 21:15

Prof. dr. Adem Zejnullahu

Hyrje 

Kënga historike është ndër krijimet poetike gojore më të përhapura në poezinë popullore e cila bashkëjetoi dhe u transmetua me shekuj në mbarë hapësirën shqiptare. Kjo këngë u dha jehonë të fuqishme, me kohë, të gjitha kërkesave, aspiratave dhe idealeve të popullit tonë për liri e pavarësi nga sunduesit e huaj gjatë rrjedhave historike. Mesazhi i saj, në një mënyrë, mobilizoi dhe forcoi shpirtin e shqiptarëve për luftë dhe mbrojtje të trojeve të veta. Ky krijim gojor poetik u bë kronikë besnike e të gjitha ngjarjeve të rëndësishme që ndodhen në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, duke i kën­duar tё gjitha ngjarjet dhe personazhet më të rëndësishme që ndërlidhen me to. Identiteti kombëtar në asnjë lloj të poezisë popullore nuk shprehet më mirë dhe më fuqishëm sesa në epikën popullore historike.

Periudha e viteve 1998-1999 në këngët historike pasqyrohet në mënyrë të gjithanshme, me të gjitha dimensionet e saj, realiteti jetësor e historik, në kohë e hapësirë të caktuar. Asnjë lloj i poezisë sonë popullore nuk e pati fatin e saj që të zhvillohet, të përhapet, të interpretohet dhe të censurohet si kjo. Kjo këngë në viset e pushtuara ishte e ndaluar, madje e ndëshkuar, por ajo u krijua dhe u këndua pandalshëm nga brezat. Si këngë e ndaluar në vazhdimësi ka pasqyruar vuajtjet, përpjekjet, qëndresën dhe luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj.

Lufta dhe sakrifica e UҪK-së, epokë e re në historinë kombëtare

Kaptinë e veçantë në zhvillimet e historisë sonë më të re paraqet lufta e armatosur e Adem Jasharit, familjes së tij dhe UÇK-së kundër okupatorit serb, që shënoi faqet më të ndritshme të historisë së kombit tonë gjatë këtij shekulli. Ngjarja e Prekazit në shkurtin e vitit 1998, me ç’rast Adem Jashari me familjen e tij dhe me shumë të tjerë qëndroi, luftoi dhe sakrifikoi një numër të madh të anëtarëve të familjes, është e veçantë në historikun e zhvillimit të luftërave të ndryshme në botë, kur një shtet me tërë arsenalin e tij ushtarak vërsulet mbi një familje me pak armatim, por me një guxim dhe vendosmëri të pashoqe që të luftojë dhe të sakrifikojë në emër të besës, nderit dhe lirisë së vendit.

Kjo ngjarje me protagonistin e saj, komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, te shqiptarët, sidomos në Kosovë, jehoi si shenjë zgjimi, mobilizim për luftë, për çlirimin dhe pavarësimine Kosovës njëherë e përgjithmonë, ndaj ngjar­jen e Prekazit e kanë temë trajtimi, duke e kënduar flijimin e familjes Jashari, si akt i veçantë trimërie dhe madhështie, sakrificë sublime kombëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Emri i Adem Jasharit, lufta e tij dhe e UÇK-së, jehoi fuqishëm në gjithë hapësirat shqiptare dhe më gjerë. Ajo frymëzoi rapsodët popullorë, poetët, shkrimtarët, piktorët, skulptorët dhe të tjerët për të krijuar vepra me vlera të mëdha përmbajtjesore dhe artistike. Pra, Prekazi e tronditi thellë regjimin e egër serb dhe e zgjoi nga hutimi faktorin e jashtëm ndërkombëtar, duke e ndërgjegjësuar për pozitën e vështirë të shqiptarëve në Kosovë, veçmas shtetet e mëdha të Evropës, të cilat ishin përgjegjëse, sepse në të kaluarën disa herë e dëmtuan shumë rëndë çështjen shqiptare.

Heroizmi i luftëtarëve të lirisë në këndimin epik 

Vepra heroike e Adem Jasharit frymëzoi dhe mobilizoi shqiptarët pa marrë parasysh moshën e gjininë. Edhe fëmijët këndonin këngë nëpër sheshe të ndryshme për të, po edhe bashkëluftëtarët e tij. Poetët shkruan vjersha dhe rapsodët kënduan këngë për aktin e tij madhor. Kudo e në çdo vend dëgjo­heshin këngë për Adem Jasharin. Kjo përditshmëri e bënte të gjallë figurën e tij, ngjallte shpresën dhe guximin e popullit për qëndresë dhe luftë kundër armikut. Sakrifica e tij në altarin e lirisë ishte kushtrim, guxim, shpresë e fuqi, mobilizim për luftëtarët e lirisë dhe për mbarë popullin tonë. Këtë veprim heroik të tij, kënga popullore e paraqet në këtë mënyrë:

N’ball të trimave të vatanit,

Komandant Adem Jashari,

Zemërmadhi pushkën n’sy,

Bini trima për liri!1

Drenica, Prekazi i bëhet këngëtarit mjet poetizimi. Ajo, në një anë, kthehet në një personazh me ndjeshmëri që mishërohet me atmosferën e luftës për liri dhe, në anën tjetër, në atë të barbarisë së egër të armikut që djeg, shkatë­rron e shkreton para vetes çdo gjë që është shqiptare. Në këtë shkretnim, sipas këngëtarit, ditët nuk janë siç duhet të jenë të bardha, ato janë të zymta, ndaj shprehet figurativisht, edhe stina e pranverës ndal hapin nga çmenduria serbomadhe:

Ç’janë këto gjamë si herave tjera?

N’atë Drenicë, o na u ndal Pranvera!

Janë shembë kullat,  janë djegë livadhe,

Ka dalë serbi e po na çelë varre!3

Sakrifica e Adem Jasharit me familjen e tij u dha zemër shqiptarëve që të organizohen, mobilizohen, të marrin guxim për luftë të përgjithshme kundër armikut për çlirim dhe pavarësim nga robëria serbe. Në këtë periudhë të vështirë lufte për çdo ditë e më tepër rritej numri i luftëtarëve të lirisë. Këtë masivizim dhe marshim atdhedashës, vargjet e këngës e paraqesin në këtë mënyrë:

Vjen Buroja, vjen Aqareva,

Mbushën malet plot Adema.6

Dimension i veçantë i këtyre krijimeve poetike gojore është strategjia dhe angazhimi i udhëheqësve – komandantëve të UÇK-së, në ballafaqim me armikun shumë më të fuqishëm, planifikimi, organizimi dhe realizimi i aksioneve luftarake kundër tij. Ata, për ta ngritur moralin luftarak tek ushta­rët e tyre, vetë prinin të parët në fushëbeteja, duke dhënë shembull se si luftohet e vdiset për atdhe.

Rapsodi popullor në këngën e re historike figurën e shquar të Adem Jasharit, që u martirizua me familjen e tij në luftë kundër okupatorit serb më 1998, e përshkruan sikurse heronjtë e traditës sonë, duke e cilësuar heroizmin e tij të pashoq:

Lumja kulla, o ka ka mrena,

Oh, ka Ademin me shtatë zemra.11

Në këtë drejtim duhet thënë se toposet e këtilla i hasim dendur në shumë këngë të periudhave të ndryshme, në të cilat në mënyrë poetike i skalisin figurat e heronjve shqiptarë. Këta luftëtarë nuk kanë frikë nga vdekja, sepse janë më të fortë sesa kullat dhe armët-topatë armikut. Ata janë të palëkun­dur në qëndrimet dhe në përcaktimin e tyre për sakrificë sublime, për t’i përmbushur idealet e tyre.

Dimension i veçantë i këtyre krijimeve poetike gojore është strategjia dhe angazhimi i udhëheqësve- komandantëve të UÇK-së, të cilët kishin barrë të rëndë përgjegjësie si për furnizimin me armë, planifikimin e aksioneve luftarake kundër armikut që ishte shumë më i fuqishëm si në ushtarë ashtu dhe në armatim. Ata për ta ngritur moralin luftarak tek ushtarët e tyre, vetë prinin në beteja e luftëra të ndryshme, duke u dhënë shembull se si luftohet e vdiqët për atdhe:

 

Ku më ashpër ishte beteja

Aty gjendet Fehmiu e Xheva,

N’çdo aksion e n’çdo përpjekje

S’u përkulen deri në vdekje!

Kosharja simbol i ngadhënjimit të UҪK-së mbi forcat kundërshtare

Në kuadrin e këngëve të reja historike, një numër sosh këndojnë për angazhimin e luftëtarëve shqiptarë për thyerjen e kufirit Kosovë- Shqipëri, i cili, në saje të sakrificës së madhe që treguan luftëtarët nga të gjitha viset e ndryshme shqiptare dhe diaspora, u realizua me sukses, por dhe një numër i madh i tyre ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.

Kushtrim lshon toka shiptare:

Luftë e madhe u ba n’ Koshare!

I prin luft’s kryetrimi,

Shqiponjë malesh komandant Agimi.

Përpjekjet dhe lufta e pandërprerë e popullit të Kosovës gjatë periudhës së viteve 1998-1999 në fushëbetejë bëri kthesë të madhe në jetën tonë, në mendimet, veprimet dhe në vizionin për ardhmëri. Kjo distancë kohore është e mbushur përplot ngjarje të dhembshme e krenare për popullin shqiptar që këndohen, përjetësohen dhe interpretohen nga rapsodët. Në këngë trajtohen në mënyrë të fuqishme vendosmëria, sakrificat e indivi­dëve dhe të përbashkëtat për çlirim dhe pavarësi.

Po ta vështrojmë këngën historike nga pikëvështrimi i brendshëm del në pah e dhëna se struktura e këtij krijimi artistik gjatë dhjetëvjetëshave të fundit shquhet për një shtresim pak a shumë të ri kronologjik-historik, që thekson më tepër argumentin historik me disa karakteristika të ndërtimit kompozicional.

Në vazhdimësinë e zhvillimit të strukturës kompozicionale të këngës së re historike hetohet theksimi i faktografisë historike me shprehësi poetike që funksionalizon rëndësinë e ngjarjeve dhe të heroit. Ndërkaq, formulat, klishetë, hyrjet, përfundimet, përsëritjet dhe përshkrimet pothuajse janë gati strukturë e pandryshueshme.

Në këngën historike të kësaj periudhe hyrja paraqitet me shumë detaje të stërholluara, duke dhënë informacione të hollësishme lidhur me ngjarjen dhe personazhet. Kjo del si rezultat i rapsodëve të arsimuar, të cilët kanë njohuri për historinë, andaj aspektin historik e konsiderojnë si lëndë parë­sore, kurse përbërësit artistikë i kanë lënë të dorës së dytë. Në këto krijime mbizotëron vetëdijesimi i heroit i cili di pse sakrifikohet, di ta shprehë idealin kombëtar, di e do ta shprehë dashurinë për atdheun, urrejtjen kundër okupatorit dhe, si të tilla, u përngjajnë hiperbolizimeve kur forcat kundërshtare janë të mëdha, ndërsa përballë u rri një luftëtar që nuk e ka drojë vdekjen:

Krisi pushka, gjemoi topi,

Luftë po bën Shaip Pacolli.

Ushtrisë s’ shkaut para i ka dalë,

Nuk ka kush trimin me ndalë!1

Kushtimisht struktura e këngës historike varet nga zhvillimet e reja his­torike, andaj ky krijim poetik popullor nuk i rri besnik modelit tradicional të të kënduarit.

Në këngët që u krijuan kohët e fundit sikurse janë ato për luftërat e UÇK-së në strukturën e tyre bie në sy përshkrimi më i madh i aksioneve luftarake kundër pushtuesit. Kështu, në një numër këngësh, informacioni për kohën zë vend të rëndësishëm.

Në këngën historike dhe në evoluimin e saj, gjatë dhjetëvjetëshave të fundit, përbërës kryesor në strukturën e saj është heroi i sakrificës, pra luf­tëtari i flijuar për atdhe. Akti sakrifikues për këngëtarin bëhet obligim për ngritje në shkallë të pavdekësisë:

O, krisi pushka si vetima,

O ra dëshmor, more, Milazim Keqina!

Lum ksi djemsh që i pat vatani,

O, Xhevat Syla prej Sllapushani.6

Aktet e sakrificës dhe të heroizmit që paraqiten në këngët e reja të per­iudhës së fundit, synojnë t’i pavdekësojnë heronjtë. Këto pamje janë të ngjashme me ato të periudhave të mëhershme në shumë aspekte kompo­zicionale, sepse janë prodhim i traditës së këndimit.

Në këtë cikël këngësh shquhen ato që këndojnë për protagonistët e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në to përshkruhet lufta dhe aksionet e luftëtarëve të UÇK-së kundër forcave serbo-malazeze, si ajo e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit, Luan Haradinit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit e shumë të tjerëve.

Këngët e reja historike të viteve 1998-’99, po të shikohen nga pikëvë­shtrimi i jashtëm dhe i brendshëm, del në pah e dhëna se strukturën e këtyre krijimeve e karakterizon një shtresim i ri kronologjik-historik-informativ që ka për qëllim t’i paraqesë në radhë të parë lexuesit të botës argumentin historik me disa karakteristika të ndërtimit kompozicional. Ato pasqyrojnë hollësisht në mënyrë të vazhdueshme vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar nën sundimin e huaj, duke u munduar që ta ruajnë identitetin kombëtar, në raport me dhunën që ushtron shteti okupues. Këngët e tilla të krijuara e të interpretuara gjatë robërisë së Koso­vës, si dhe ato gjatë luftës së fundit të Kosovës, kur UÇK-ja e përkrahur nga populli dhe NATO, e çliroi Kosovën, kishin për mision kryesor mobi­lizimin dhe forcimin e shpirtit të shqiptarëve për luftë dhe mbrojtje të trojeve të veta.

Fjalë përmbyllëse

Në fund do thënë se këngët që i kushtohen Adem Jasharit, familjes së tij, si dhe luftëtarëve të tjerë nga rapsodët e ndryshëm, janë krijime të njerëzve të arsimuar dhe të gjitha të thurura në lavd, jo në dhënien e atmosferës së luftës, pa depërtime në botën e brendshme të personazheve siç ngjet në këngët e periudhave të mëhershme. Por, në përgjithësi, rapsodët, cilët do qofshin, janë larguar traditës së këndimit me përjashtim kur marrin nga këngët historike ndonjë pamje si pohim që u duket se tingëllon fort. Me rëndësi është se u këndua për luftën, heroizmin dhe sakrificën e luftëtarëve tanë për ҫlirim dhe pavarësim të Kosovës. Kështu, këngët e Arif Vladit, Leonora Jakupit, Ilir Shaqirit, Muharrem Gashit, Shaban Shishmanit, Tahir e Hashim Shalës, vëllezërve Hertica etj ., paraqesin një dëshmi dhe vlerë të veçantë në fol­kloristikën tonë. Në këngët e tyre, në përgjithësi, madhërohet figurën e Adem Jasharit dhe e luftëtarëve të tjerë, duke i ngritur në përmendore lirie, që rrezatojnë atdhedashuri të përmasave të mëdha në kohë e hapësirë gjithë­shqiptare për brezat në vijim.

1 Muharrem Gashi, Këngë popullore II, Prishtinë, 2017. f. 302.

3 Po aty.

6 Po aty.

11 Arkivi i Institutit Albanologjik i Prishtinës, dosja e Nebi Balës. (Kanga për Adem Jasharin).

1 Arkivi i Institutit Albanologjik, dosja e Nebi Balës.

6 Arkivi i Institutit Albanologjik i Prishtinës, dosja e Nebi Balës. (Kënga e Dëshmorëve të Pashtrikut).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka njoftuar se 10 fluturime janë…