Ushtria amerikane mbërrin në Berlin për stërvitjen e NATO-s
Qindra ushtarë amerikanë kanë filluar të mbërrijnë në Gjermani në kuadër të një strategjie të re për vendosjen e shpejtë të forcave ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore në rast të agresionit rus apo emergjencave të tjera.
Ushtria e SHBA-së thotë se 350 ushtarë të Divizionit të Armatosur arritën në Berlin, si pjesë e një grupi prej 1.500 ushtarësh që pritet të arrijnë gjatë kësaj jave.
Forcat ushtarake do të shkojnë në Poloni ku do të bëjnë manovra me forcat polake.
Ideja e strategjisë së “vendosjes dinamike” është që kur të jetë e nevojshme “të rriten në mënyrë të shpejtë forcat e gatshme për luftime” në Evropë.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania dhe Britania tashmë kanë vendosur njësi me madhësi batalioni në Poloni, Letoni, Lituani dhe Estoni, raporton AP.