Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka sjellë vetëm lavdi (34)
Shkruan: Kudusi LAMA
Njëkohësisht, meqë ju e keni përsëritur shumë herë “luftën e përgjakshme midis grupazheve të UÇK-së”, edhe mua më lind e drejta ta përsëris aq herë se UÇK-ja ka qenë një dhe nuk ka pasur grupazhe, nuk ka pasur fraksione siç i quani ju, nuk ka pasur konflikte, por ka pasur një strukturë unike me hierarki e disiplinë të plotë prej Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e deri tek ushtari i fundit. Duhet të mos tentoni të mashtroni edhe në fushën e organizimit ushtarak, mjaft keni mashtruar politikisht ju dhe ata si ju, gjatë luftës çlirimtare edhe sot. Duhet të dini njëherë e mirë se askush për askënd nuk ka nevojë të fshehë krime. Sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka sjellë vetëm lavdi në këtë komb. Nëse dikush ka bërë krime personale, siç ndodh edhe te ju në Evropë, le të japë llogari para ligjit, por mos ngatërroni me fjalë luftën e lavdishme të shqiptarëve për lirinë e dëshiruar e të arritur, pavarësisht nëse e shikoni me sy të mirë ju ose jo.
Si edhe në mjaft pika të tjera të këtij raporti edhe në pikën 14, ju prapë pretendoni se “Bashkëpunimi midis instancave të ndryshme ndërkombëtare dhe autoriteteve kosovare, si dhe i autoriteteve kompetente të Shqipërisë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur lë për të dëshiruar”. Por unë nuk di kë konsideroni bashkëpunim ju. Ndoshta vetëm pranimin e gjithçkaje që pretendoni ju, sipas shënimeve që iu kanë dhënë të gatshme serbët. Sepse gjithnjë sipas jush, Serbia është për të marrë shembull, pasi ka pranuar të hapë gropat e groposjes së mijëra shqiptarëve të masakruar. Sa lavdi paska Serbia për këtë që bën. Po pse ç’mendoni ju se mund të bënte Serbia ndryshe? Pse flisni në përgjithësi e nuk thoni emra, kush iu pengoj në Kosovë e në Shqipëri, pasi unë në media, kam dëgjuar gjithnjë nga autoritetet e të dy shteteve shqiptare të thuhet se është gatishmëri e plotë të kërkohet e të gjendet gjithçka që pretendohet? Por ju kështu do të thoni për të justifikuar dështimin, pasi nuk mund të thoni se nuk kishte gjë. Ju doni ta lini hijen e dyshimit të pranishme, se kështu i jepni goditjen që keni marrë detyrë t’ia jepni kombit shqiptar.
Ju zotëri Marty jeni treguar vërtet artist për ngritjen në sytë e gjithë botës, të të keqes që imagjinoni se mund të ketë ndodhur, ose improvizoni si të ndodhur. Jeni vërtetë i habitshëm për sigurinë me të cilin e reklamoni mashtrimin. Për t’u bindur le të shikojmë pikën 16 të raportit tuaj. Ku ju duke iu referuar asaj “shtëpisë së verdhë”, që pretendoni se ajo është vetëm maja e ajsbergut që do të zbuloni ju, sepse ajo është vetëm një çështje e dorës së dytë. Pra ju duke u nisur nga një “fakt”, nxirrni konkluzione të gjerësisë së problemit. Dhe pasi zini në gojë shumë herë shkencën dhe punën shkencore, sikur ju jeni eksperti i kësaj fushe, nuk thoni se pse nuk bëtë ekspertizën e duhur kur edhe ju pranuan të shikoni shtëpinë. Po kështu iu bën përshtypje, që nëpërmjet verifikimeve, keni parë njollat e gjakut. Së pari, sa qëndrojnë njollat e gjakut pa u shpërbërë? Nëse ekzistojnë a mund të gjendet se i kujt është ky gjak? Me sa di unë sipas atyre që kam lexuar dhe informacioneve që jepen ka mundësi. Njëkohësisht, dua të pyes a keni parë ndonjëherë në fshat se ruhen bagëti dhe ata edhe theren për nevoja të familjes? Ashtu sikurse kam dëshirë t’iu pyes, ju andej nga vini a nuk i pastroni shtëpitë nga gjaku kur therni bagëti dhe kur ju lindin gratë? Ne këtej i pastrojmë. Por ju keni bërë lojëra me fshatarin, i cili pa hile iu ka thënë se kjo është shtëpi ku ka jetë, theren bagëti e edhe lindin gratë. Prandaj mos bëni shaka me ndershmërinë e fshatarit tonë. Njëkohësisht, dua të pyes, a vërtetë mendoni se po të kishte pasur operacione e heqje organesh jetike njerëzore në atë shtëpi, do të mbetej ashtu e pa prekur që të vinit e ta shikonit dhe ekzaminonit ju? Sa interesant jeni zotëri, por çudi sa sukses keni pasur me mashtrimin artistik që keni bërë në gjithë botën.
Zotëri, unë po ju them me sigurinë më të plotë, se po të ishte therur njeri në atë shtëpi, kryetari i familjes do ta kishte marrë familjen dhe do të kishte ikur nga sytë këmbët. Ne nuk jetojmë dot me kufoma nën këmbë. Nuk e kemi zakon dhe nuk e pranon logjika shqiptare. Ne edhe kur bëjmë shtëpi të re, kërkojmë të gjejmë vendin më të pastër, ku të mos ketë pasur mundësi asnjëherë për të varrosur njeri. Më duket se na keni ngatërruar me të dashurit tuaj, serbët, të cilët, siç po del aktualisht, mbi gropat e groposjes masive të shqiptarëve paskan bërë edhe shtëpitë ku jetojnë. Mos mendoni se kemi të njëjtën mendësi, jemi shumë larg në këtë pikëpamje, çfarë shikoni tek serbët, mosmendonise duhet të ndodh edhe ndër shqiptarët. Por nuk keni faj, se loja kjo është, ashtu iu kanë thënë ata, ashtu shkruani ju, e ata zotëri nuk konceptojnë më përtej se ato që i bëjnë vetë. Mendojnë se çfarë bëjnë vetë e bëjnë edhe të tjerët.
Shumë interesant zotëri, megjithëse keni shumë ide, shumë fakte, shumë njohuri, shumë parashtrime, shumë parashikime, shumë paramendime, gjithnjë iu shkatërrohen provat. Dhe ato ua shkatërrojnë edhe hetuesit shqiptar, edhe prokuroria shqiptare, por edhe Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, kryeprokurori i kësaj gjykate, e ndoshta shumëkush kuptohet, se pa angazhim maksimal ndërkombëtarë, fakte që arkivohen në gjithë Evropën nuk mund të zhduken lehtë. Dhe megjithëse i vetëm arrini të bindni Këshillin e Evropës, që siç vlerësoj unë paska qenë i parapërgatitur për këtë bindje, por duhej vetëm një shkresë si kjo juaja, që quhet raport. Jeni shumë i fuqishëm, jeni për t’u simpatizuar, një përballë të gjithëve dhe fitimtar, megjithëse me prova të “prishura” ndërkombëtarisht. Këtë thotë pika 17 e shkresës, më fal për ngatërresën, raportit tuaj.
Realisht ju nuk keni faj. Faj kam unë që lexoj raportin tuaj. Faj kanë bashkëkombësit e mi që të kanë lënë të shkelësh në tokën tonë, sikur të kishe edhe status nga Perëndia, jo vetëm nga Evropa, faj ka Këshilli i Evropës, që të dërgon tek ne, dhe pastaj lexon e miraton edhe shkresën tënde. Sepse në pikën 18, të kësaj shkrese, (raporti), t’i tregon vetë që je bashkëpunëtor i serbëve e punon për Serbinë e ne të marrim seriozisht. Po si more edhe “Prokurorit të posaçëm për krimet e luftës në Beograd, që ka bërë përpjekje të konsiderueshme, nuk arriti as ai në rezultate shumë konkrete”.? Ia prishën punën mediet. Çudi, mediat ia prishën punën atij por ta ndreqën punën ty, që të bësh një raport vërtetë të suksesshëm për Këshillin e Evropës. Bën mirë që në shkresë, (raport) e falënderon “prokurorin e posaçëm për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tij”, ai ka vlera dhe merita, e pranoi edhe unë, pasi është jo vetëm shefi yt, por edhe ai që të ka përgatitur shkresën (raportin).
Në pikën 19, vlerësoni se ekipi i prokurorëve dhe i hetuesve “ndërkombëtarë në gjirin e misionit të EULEX-it, i ngarkuar për të hetuar lidhur me pohimet për trajtime çnjerëzore, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një trafikim të mundshëm organesh, ka bërë përparime konkretisht për sa i përket provës së ekzistencës së vendeve të fshehta të burgimit të UÇK-së në Veri të Shqipërisë”, deri këtu mirë, ndoshta edhe ata kanë bërë një punë. Por konkluzioni juaj që “vërteton” diçka të pa provuar prej tyre, më habit, pasi ju vazhdoni fjalinë duke deklaruar si të ishit vëzhgues perëndie “ku do jenë kryer edhe vrasje”. Nga e nxirrni këtë zotëri? Apo edhe këtu e keni gjetur zgjidhjen. Ju kanë penguar autoritetet shqiptare, që nuk kanë pranuar atë që doni ju. Interesant, si nuk iu vjen pak turp për atë që deklaroni në emër të Evropës.
Në pikën 20, jeni marrë me klinikën Medikus, për të cilën mund të flisni si të doni, pasi mua nuk më zgjon asnjë interes. Ata që kanë vepruar le të sqarojnë pozicionin e tyre. Po pse duhet të ketë lidhje me UÇK-në dhe luftën e saj, këtë nuk e kuptoj, pasi më duket se abuzoni me një tog fjalësh pa kuptim, bile duke akuzuar se nuk iu kanë ndihmuar edhe Gjermania, Bjellorusia, Federata e Rusisë, Izraeli, Moldavia, Polonia dhe Turqia. Shumë kundërshtarë keni zotëri, që ju pengojnë të deklaroni kriminelë shqiptarët, e megjithatë arrini të bëni një raport të pranuar nga Këshilli i Evropës.
Zotëri, ju duhet të jeni i bindur se të marrësh nën hetim 1, 10, 100 apo 1000 luftëtarë të UÇK-së, nuk e njollos dot portretin e saj. Me makinacionet që përpiqeni të koordinoni mund edhe të akuzoni dikë, por duhet të jeni të sigurt se në fund ju do të dështoni dhe do të mbeteni si figura më banale në historinë e kombit shqiptar. Koha do ta vërtetojë këtë që po të them. Rrofsh dhe e përjetofsh këtë në jetën tënde.
Në pikën 25 i referoheni nderit shqiptar. Nuk di çfarë vlere ka nderi andej nga vini ju, ndërsa për shqiptarët është elementi i ekuilibrit kombëtar. Por nderi për shqiptarët kërkon të mos mashtrojmë, të mos shpifim, të mos i ngarkojmë barrë askujt pa qenë të sigurt, të mos ndjejmë kënaqësi duke improvizuar fatkeqësi për të tjerët, të mos marrim atë që nuk na takon, të mos deklarojmë atë që nuk e kemi parë me sy apo e kemi ndjerë me veshë, të mos përfitojmë duke ngarkuar të tjerët, të mos hamë bukën e huaj për të dëmtuar vendin tonë, të mos biem nën presion të askujt dhe për asnjë arsye për të thënë të pavërteta, të deklarojmë publikisht gjithnjë të vërtetën pa u trembur prej askujt, të ndihmojmë atë që nuk ka mundësi, të respektojmë të vdekurit pavarësisht nga origjina ose etnia e tyre, të duam e ndihmojmë fëmijët, të ndihmojnë pleqtë dhe të pamundurit, etj. Nëse i kuptoni këto, duhet të merrni vesh njëherë e mirë se me shqiptarët duhet folur vetëm sinqerisht, po të doni të mirëkuptoheni me ta. Shqiptarët nuk mashtrohen me shpërblime e mjete nuk di për cilat e keni fjalën kur thoni se nuk ishit aq i fuqishëm me mbështetje për të gjetur dëshmitarë. Ndër shqiptarët dëshmitarë për të vërtetën mund të gjeni gjithë popullin pa përjashtime, ndërsa për mashtrime nuk do të gjeni asnjë kurrë.
Zotëri, ju siç duket çfarë keni lexuar për shëmtitë e kësaj bote keni marrë përsipër t’ua vishni shqiptarëve. Ju arrini deri atje sa zbuloni edhe “mafian shqiptare” në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni por edhe në diasporën e respektuar shqiptare, që qenka më e fuqishme se “mafia italiane”, sepse ju megjithëse e zbuloni, nuk arrini të depërtoni në të. Jeni shumë interesant zotëri, që pa asnjë fakt nxirrni konkluzione dhe të gjitha konkluzionet tuaja përputhen plotësisht me shpifjet serbe për shqiptarët. Por ju jeni shqetësuar shumë, që nuk keni gjetur as në nivelet më të ulëta të hierarkisë së kësaj “mafie”, dëshmitarë që më mirë do të “parapëlqenin të qëndronin dhjetëra vite në burg apo të dënoheshin qoftë edhe për pengesë drejtësie, sesa të dorëzonin një anëtar të klanit të tyre”, siç shpreheni në pikën 26 të raportit tuaj. Por ajo që nuk kuptoni ju është e vërteta, se shqiptarët nuk e njohin termin “klan”, të cilin e përdorni ju sipas literaturave mafioze që keni lexuar. A e keni lexuar historinë e “Ku Klus Klanit”? Atje i keni marrë këto konkluzione? Kuptoni mirë, se shqiptarët nuk tremben nga askush, në këtë tokë. Shqiptarët përpiqen t’i nderojnë të gjithë, por jo të bëhen vegla të të tjerëve. (Vijon)