Ushtria Çlirimtare e Kosovës si domosdoshmëri e kohës

17 dhjetor 2022 | 22:23

MA Emin Sallahu

Përpjekja e popullit shqiptar për liri ka qenë e gjatë dhe e pandalshme. Kjo përpjekje u shtua në shekullin XX. Robëria e gjatë nën pushtuesin Osman u zëvendësua me pushtues të ri – Serbinë. Pas rënies së Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX dhe ndryshimit të forcave në terren, ape­titet e fqinjëve, sidomos Serbisë, u rritën në drejtim të pushtimit të trojeve shqiptare të cilat tashmë ishin pa një mbrojtje të organizuar. Megjithëkëtë, angazhimin shqiptarët e realizuan edhe në kuadër të garnizoneve turke në luftën kundër sulmeve të ushtrisë serbe. Gjendja e popullit shqiptar u keqë­sua pas konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila la jashtë Shqipë­risë shumë troje shqiptare të cilat u bënë pre e fqinjëve, sidomos Serbisë. Rezistenca e shqiptarëve ishte evidente,si kryengritja e Dibrës më 1913 e udhëhequr nga Elez Isufi, pastaj zgjerimi i forcave në drejtim të Gjakovës, Prizrenit e Dukagjinit të udhëhequra nga Bajram Curri dhe Isa Boletini zhvilluan luftime të ashpra me ushtrinë serbe, e cila u detyrua të mobilizojë forca shtesë.[1] Në vazhdën e rezistencës hyn edhe lëvizja kaçake e udhë­hequr nga Azem Bejta i cili nga ana e Komitetit për Mbrojtje Kombëtare të Kosovës ishte emëruar udhëheqës i rezistencës. Populli shqiptar iu nën­shtrua dhunës dhe terrorit sistematik në të gjitha sferat e jetës, që nga prona duke uzurpuar tokat e tyre dhe duke ua dhënë kolonëve të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe Malit të Zi, të drejtat për shkollim iu mohuan, gjendja socio-ekonomike ishte shumë e rënduar, ndërsa përpjekjet për çlirim ishin kryesisht të karakterit lokal dhe rajonal, por të cilat në vazh­dimësi shuheshin me gjak. Populli shqiptar kaloi nëpër katrahura si në luftërat ballkanike, po ashtu edhe gjatë LPB-së. LDB e gjeti popullin shqip­tar në gjendje shumë të vështirë. Shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze ishin të paorganizuar dhe të rrezikuar nga shfarosja edhe pse bashkëngjitja e tyre në LNÇ u realizua me shpresë për t’i fituar të drejtat që i takonin fatkeqësisht nuk ndodhi gjë që u dëshmua gjatë edhe pas LDB-së. Fati i popullit shqiptar në Kosovë ishte tragjik sepse në njërën anë u rreshtuan në krahë të brigadave partizane të LNÇ-së, ndërsa disa brigada partizane jugosllave (serbo-malazeze) ndaj popullatës shqiptare kryenin vrasje dhe persekutime. Vlen të theksohet, p.sh., gjatë vitit 1943 vetëm në Sanxhak janë realizuar nga qetat çetnike dy sulme ndaj popullatës shqiptare. Korpusi i dytë i UNÇJ-së luftoi pa mëshirë shqiptarët të cilët u dolën në ndihmë vëllezërve të tyre në Sanxhak nga sulmet çetnike dhe çetniko-parti­zane.[2] Rezistenca e shqiptarëve në Kosovë gjatë LDB-së u nda në dysh, në njërën anë bashkëngjitja në UNÇJ, në anën tjetër në forcat e rezistencës ndaj krimeve që pikërisht kjo ushtri kryente mbi popullatën e pambrojtur shqip­tare. Në krye të Brigadës së Drenicës qëndronte Shaban Polluzha i cili, pas mobilizimit dhe urdhëresës që Brigada e ashtuquajtur “Kosmeti” në fillim të janarit të vitit 1945 të dërgohet në frontin e Sremit, gjë që u refuzua nga Shaban Polluzha, me qëllim që t’i dalë në mbrojtje populli nga masakrat e mëtejme të brigadave çetniko-partizane. Pas refuzimit filluan operacionet për likuidimin e brigadës së tij. Në shkurt(21.02.1945) u vra edhe vetë Shaban Polluzha, Mehmet Gradica etj. dhe u shua kryengritja ose rezistenca e shqiptarëve.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë u vendos regjimi dhe admini­strata ushtarake e cila popullatën shqiptare vazhdoi ta trajtojë në formë brutale. U mbajtën gjykime ushtarake duke i dënuar, por edhe ndjekur ata që nuk pajtoheshin me regjimin. Ndaj shqiptarëve u ushtrua dhunë edhe gjatë aksionit për mbledhjen e armëve në vitin 1955-1956. Këto aksione ishin me qëllim të frikësimit dhe dëbimit të shqiptarëve për Turqi. Rrethanat të cilat e lanë popullin shqiptar të ndarë në disa, republika dhe krahina në federatë janë të njohura. Shqiptarët vazhduan organizimin në lëvizje ile­gale pas së cilës nga ana e pushtetit jugosllav pasuan arrestime, burgosje dhe ndjekje të veprimtarëve të shumtë e ndër të cilët ishte edhe simboli i rezistencës Adem Demaçi, Fazli Grajçveci, Metush Krasniqi e shumë veprimtarë të tjerë. Në vitin 1968 shpërthyen demonstrata masive kundër padrejtësive duke kërkuar të drejta brenda federatës si dhe shkollimin dhe përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, duke detyruar pushtetin e Titos t’i lirojë masat dhe ta fillojë aplikimin e të drejtave më të avancuara si hapjen e universitetit dhe me ngritjen e Kosovës në Krahinë Autonome në kuadër të Federatës Jugosllave në vitin 1974. Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat masive me kërkesën kryesore statusin e Republikës në Fede­ratën Jugosllave. Veprimet ishin të menjëhershme nga ana e pushtetit duke i shtypur demonstratat në mënyrë të përgjakshme dhe duke kryer arres­timet dhe gjykimet politike me dënime të mëdha ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptarë. Veprimtarët brenda dhe në mërgatë ndiqeshin dhe vriteshin si, p.sh., vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Represioni dhe dënimet nuk e dekurajuan rininë dhe popullin shqiptar, përkundrazi vazhdoi rezistenca për liri dhe sa shkonte koha edhe kërkesat rriteshin dhe organizimi forcohej. Në fillim të viteve ’90, pas ardhjes në pushtet të Sllo­bodan Millosheviqit, i cili kishte rrënuar autonominë e Kosovës më 1989 dhe praktikisht e kishte ripushtuar Kosovën, shqiptarët u organizuan duke formuar institucionet paralele për t’iu kundërvënë Serbisë. Janë të njohura organizimet e arsimit shqip paralel nëpër shtëpi private, hapja e ordinan­cave mjekësore (kryesisht përmes Shoqatës “Nëna Terezë”) zhvillimi i aktiviteteve kulturore dhe forma të ndryshme përmes lëvizjes pacifiste kryesisht në kuadër të LDK-së e cila ishte partia kryesore e shqiptarëve të Kosovës të cilën e udhëhiqte dr. Ibrahim Rugova. Në fillim të viteve ’90shpërtheu lufta në Slloveni, Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Fede­rata Jugosllave tashmë po zhbëhej, situatë kjo e cila shqiptarët e Kosovës i gjeti të papërgatitur për ta filluar luftën ndaj Serbisë. Lëvizja pacifiste me kalimin e kohës filloi ta humbë efektin mobilizues te popullata si rezultat i veprimeve represive serbe të cilat reflektoheshin me ndjekje, arrestime, vrasje dhe largim nga puna e cila pasoi me largimin e një numri të madh të shqiptarëve për në Perëndim. Pas një situate të tillë populli filloi të humbasë durimin dhe besimin në ndjekjen e një forme pasive të rezistencës.

Tanimë ishin pjekur kushtet për një rezistencë aktive së cilës i kishin paraprirë veprimtarë dhe grupe të organizuara ilegale të armatosura si, p.sh., “Çeta e Llapit” e prirë nga Ali Ajeti(tani hero i kombit) 1989, pastaj Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës LKÇK, organizatë politiko-ushtarake e cila kishte edhe njësitin gueril “Rexhep Mala” me komandant Agron Rrahmani (tani hero i kombit), pastaj Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) nga e cila edhe lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Qysh në fillim të vitit’91veprimtarë dhe atdhetarë nga Kosova dhe mërgimtarë të ardhur nga Perëndimi në krye me Adem Jasharin i cili krijoi Grupin e Drenicës filluan stërvitjet ushtarake për një luftë guerile, dhe në vitin 1992 realizuan aksionet e para kundër forcave policore serbe. Më 05.04.1993, në kullën e tij në Prekaz, Adem Jashari së bashku me shokë vendosën që të gjitha aksionet kundër forcave policore ushtarake serbe të kryheshin në emrin e UÇK-së. Aty u vendos që Adem Jashari do të jetë komandanti kryesor i ushtrisë e cila në vjeshtën e vitit 1994 e mori emrin UÇK. Publikisht UÇK-ja doli më 28 nëntor 1997 pas vrasjes së mësuesit në Llaushë të Skenderajt, Halit Geci. Përfaqësuesit e parë që dolën publikisht ishin Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi (tani hero i kombit). Dalja e UÇK-së në publik mobilizoi dhe forcoi shqiptarët anekënd botës. Kjo ngjarje pa dyshim historike bëri që të forcohet bindja se tanimë rruga e vetme ishte lufta e armatosur. Forcat policore ushtarake serbe u munduan ta shuajnë kryengritjen e armatosur të shqiptarëve, sepse tani situata filloi t’u dilte nga kontrolli. Aksionet për luftimin e pjesëtarëve të UÇK-së vazhduan dhe në mars të vitit 1998 pas rezistencës heroike të komandantit Adem Jashari me familje, e cila përfundoi me vrasjen e tij,të familjes dhe të afërmve që morën pjesë në luftime me forcat policore-ushtarake serbe, ndodhi kthesa e madhe. Mobilizimi dhe shtimi i UÇK-së mori përmasa gjithëpërfshirëse dhe të paparë deri më tani. Mërgata u mobilizua dhe filloi grumbullimin e ndihmave të të gjitha llojeve, në veçanti furnizimi me armatim nga brenda dhe jashtë Kosovës mundësoi edhe plotësimin e radhëve me ushtarë të cilët vinin nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Rol vendimtar për përgatitjen e luftës çlirimtare kishte shteti amë, Shqipëria, e cila ndihmoi në të gjitha aspektet si në ushtrime ushtarake me kuadro dhe logjistikë,pastaj rrugëtimi i armatimit dhe luftëtarëve kishte për bazë territorin e Shqipërisë. Zgjerimi dhe shtrirja e UÇK-së ndodhi në pothuajse tërë terri­torin e Kosovës dhe kjo pa dyshim paraqet arritjen kulmore të organizimit duke kaluar të gjitha përfshirjet e mëhershme mobilizuese ushtarake nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Këto aktivitete ushtarake rezultuan edhe me marrjen e disa territoreve nën kontroll duke u shtri në aspektin operativ në disa zona(shtatë sish).

UÇK-ja mori rolin prirës në luftën e armatosur edhe atë politike për çlirimin e Kosovës. Tanimë UÇK-ja shtriu rrjetin me një strukturë si në vijim:Shtabi i Përgjithshëm dhe shtatë Zona. Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Pashtrikut, Zona Operative e Dukagjinit, Zona Opera­tive e Shalës, Zona Operative e Llapit, Zona Operative e Nerodimes dhe Zona Operative e Karadakut.

Mobilizimi i popullit shqiptar rreth UÇK-së bëri që edhe bashkësia ndër­kombëtare ta trajtojë ndryshe Kosovën dhe kërkesat e popullit të saj. Filluan kontaktet edhe me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të cilët e kishin edhe drejtorinë politike të saj të cilën e udhëhiqte Hashim Thaçi, u hap zyra e UÇK-së në Prishtinë me përfaqësues simbolin e rezistencës Adem Demaçin. Bashkësia ndërkombëtare në fillim hezitoi t’i kontaktonte guerilët, por ishte përfaqësuesi amerikan Richard Holbruk ai që i takoi përfaqësuesit e UÇK-së në Junik (qershor 1998), duke paralajmëruar për­krahjen e ShBA-së për luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar të udhëhequr nga UÇK-ja. Pas ShBA-së vazhdoi edhe Evropa të përafrohej duke rezultuar edhe me organizimin e Konferencës së Rambujesë duke e ngritur në nivelin më të lartë përfaqësues UÇK-në përmes përfaqësuesve të saj në krye me Hashim Thaçin si dhe përfaqësuesit e krerëve politikë të Kosovës,dr. Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Qosja etj. Pas kësaj konference, e cila rezultoi pa sukses, sepse pala serbe nuk pranoi kushtet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare dhe si rezultat i kësaj pasoi intervenimi i forcave të NATO-s në mars të vitit 1999 dhe se kjo padyshim paraqet suksesin më të madh dhe kthesën drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës në qershor të 1999-s. Lufta e drejtë e UÇK-së paraqet organizimin më gjithëpërfshirës ushtarak dhe mobilizimin më të madh të shqiptarëve të Kosovës, por edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare të organizuar ndonjëherë deri më tani, si dhe përcjell për gjeneratat që vijnë mesazhin se për t’u çliruar nga pushtuesi duhet gjithsesi për të luftuar. Lindja e UÇK-së ishte domosdoshmëri e kohës dhe se kjo ushtri e lavdishme besoj se do ta ketë vendin meritor në historinë e popullit shqiptar si një nga organi­zimet më të suksesshme të luftës çlirimtare për realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar për liri.

 

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

[1] Liman Rushiti,Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga kriza lindore e këndej,Prishtinë, 1995,f.87-97.

[2] Po aty f. 171.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata speciale në Hagë , e ndihmuar nga logjistika e…