Ushtria duhet të formohet këtë vit
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka ftuar institucionet e Kosovës ta përshpejtojnë procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Ai ka thënë se formimi i ushtrisë duhet të ndodhë brenda këtij viti. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kastrati ka deklaruar se institucionet e Kosovës, së bashku me NATO-n dhe palët e tjera, duhet të ulen dhe ta hartojnë një strategji e cila do të mundësonte që më në fund të fillojë transformimi i FSK-së. “Kjo strategji duhet të hartohet gjatë këtij viti në mënyrë që Kosova ta fillojë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do të plotësohej arkitektura e sigurisë në Kosovës”, ka thënë Kastrati.
Ai ka shtuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është bërë nevojë e kohës dhe, sipas tij, kjo forcë vetëm do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon. “Me formimin e Forcave të Armatosura, me rinimin e Policisë së Kosovës dhe me profesionalizimin e mëtejshëm të inteligjencës, sigurisht se sfidat në fushën e sigurisë me të cilat do të përballet Kosova do të jenë shumë më të lehta”, ka thënë Kastrati. Ish-komandanti i FSK-së ka thënë se gjatë këtyre dhjetë vjetëve të shtetësisë gjendja e sigurisë ka qenë stabile.
“Epoka e re”: Z. Kastrati, Kosova po i rrumbullakon dhjetë vjet shtet. Si do ta vlerësonit gjendjen e sigurisë dhe punën e institucioneve të kësaj fushe gjatë kësaj periudhe kohore?
Kastrati: Në përgjithësi gjatë kësaj periudhe kohore situata e sigurisë ka qenë e mirë dhe në nivelin e duhur, pavarësisht se siguria e Kosovës gjatë këtyre dhjetë vjetëve është sfiduar nga faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Institucionet tona të sigurisë brenda kapaciteteve që kanë pasur kanë bërë punën e duhur, mirëpo nuk duhet të vetëkënaqen me këtë situatë. Institucionet tona të sigurisë duhet të punojnë më shumë për të ecur përpara drejt përmirësimit të gjendjes së sigurisë në vend.
“Epoka e re”: Nga kush është sfiduar më shumë siguria e Kosovës gjatë këtyre dhjetë vjetëve?Kastrati: Siguria e Republikës së Kosovës është sfiduar nga shumë faktorë. Do t’i veçoja vetëm dy faktorët më kryesorë: ndikimi rus dhe ndikimi i Serbisë. Këta dy faktorë çdoherë janë munduar ta destabilizojnë Kosovën, pastaj të proklamohet se ky shtet nuk është në gjendje të ofrojë siguri. Pra, të pengohet integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike. Po ashtu, shkruaja e qytetarëve të Kosovës për të luftuar në Irak dhe Siri ka cenuar sigurinë e vendit. Kurse siguria e brendshme është sfiduar edhe nga partitë politike, me organizimin e demonstratave të dhunshme duke sulmuar institucionet shtetërore.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh edhe rrjedhat globale, në të ardhmen kush mund ta cenojë sigurinë e Kosovës?
Kastrati: Sigurisht se përsëri sfidues të shtetit të Kosovës do të jenë Serbia dhe Rusia. Ndërtimi i bazës ruse në Nish tregon për këto qëllime. Ndonëse ajo është emëruar si bazë emergjente, dihet se ajo bazë udhëhiqet nga ushtarakët rusë dhe ka për qëllim kryesor destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, derisa ky i fundit nuk ishte anëtar i NATO-s. Qëllimi i kësaj baze është pengimi i rajonit që të ecë drejt anëtarësimit në NATO. Pra, ky do të jetë një rrezik potencial edhe në të ardhmen për Kosovën derisa ta formojë ushtrinë e saj dhe të anëtarësohet në NATO.
“Epoka e re”: Kosova deri më tani ka ndërtuar të gjitha institucionet e saj të sigurisë, përveç hallkës së fundit që është transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Ku duhet ta kenë fokusin institucionet tona tani e tutje?
Kastrati: Shteti i Kosovës duhet të investojë më shumë në Policinë e Kosovës, sepse më herët kjo polici ka qenë prej me të rejave dhe më profesionalet në rajon, ndërsa tani jemi dëshmitarë se kjo polici është duke u plakur. Në këtë drejtim kisha sugjeruar që institucionet tona ta miratojnë një ligj që pjesëtarët e policisë të pensionohen sikurse pjesëtarët e FSK-së në moshën 55-vjeçare. Në këtë mënyrë do të hapej rruga që të rekrutohen më shumë të rinj. Po ashtu, duhet të investohet më shumë në pajisje dhe në trajnime më moderne për Policinë e Kosovës, që kjo të jetë e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës duhet të ulen dhe të diskutojnë së bashku me NATO-n dhe të gjitha palët e tjera që janë në lojë, që ta hartojnë një strategji e cila do të mundësonte që më në fund të fillojë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kjo është një prej shtyllave kryesore që Kosovën do ta bënte të ndihej shumë më e sigurt në të gjitha fushat.
“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe do të duhej të hartohej kjo strategji dhe kur do të duhej të fillojë transformimi i FSK-së në ushtri?
Kastrati: Kjo strategji duhet të hartohet gjatë këtij viti në mënyrë që Kosova ta fillojë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do të plotësohej arkitektura e sigurisë në Kosovës. Dihet tashmë se formimi i Forcave të Armatosura është bërë nevojë e kohës dhe kjo forcë vetëm do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon. Me formimin e Forcave të Armatosura, me rinimin e Policisë së Kosovës dhe me profesionalizimin e mëtejshëm të inteligjencës, sfidat në fushën e sigurisë do të jenë shumë më të lehta.
“Epoka e re”: Po anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, sa do t’i ndihmonte institucionet tona që t’i parandalojnë rreziqet në aspektin e sigurisë?
Kastrati: Mendoj se Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme duhet të punojnë dhe duhet ta kenë një strategji të qartë se si ta menaxhojnë anëtarësimin në këto organizata rajonale-ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Ne e dimë se anëtarësimi në Interpol është me tepër vendim politik, sepse Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen nga kjo organizatë. Por, ne duhet të punojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë që të jemi pjesë e këtyre mekanizmave. Tekefundit, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë është interes i vet bashkësisë ndërkombëtare, sepse ne jemi në një pozitë strategjike në Ballkan dhe Kosova mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e fenomeneve të ndryshme negative, si terrorizmi, krimet e organizuara dhe kontrabandimi i qenieve njerëzore.
“Epoka e re”: Z. Kastrati, si duhet të veprojnë institucionet tona në këtë përvjetor jubilar të shtetësisë. Duhet të ndërmarrin masa shtesë për ngritjen e sigurisë?
Kastrati: Absolutisht po. Jo vetëm për këtë përvjetor të pavarësisë, por për çdo festë e cila mbahet në Kosovë jam i bindur se inteligjenca jonë dhe policia e Kosovës paraprakisht i kanë planet e tyre operative, në mënyrë që të marrin masa paraprake për të mos lejuar ndonjë akt të mundshëm, i cili do të mund ta prishte sigurinë në vend. Po e ritheksoj se Serbia dhe Rusia çdoherë janë në gjendje gatishmërie për ta destabilizuar Kosovën dhe për të treguar në arenën ndërkombëtare se gjoja institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme ta menaxhojnë situatën e sigurisë në vend.
Muhamet KOCI