Ushtria, e arritura më e madhe pas pavarësisë

30 dhjetor 2018 | 14:51

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, e ka quajtur nder dhe privilegj të jetë në krye të kësaj force gjatë procesit të transformimit në ushtri.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se formimi i ushtrisë është e arritura më e madhe pas pavarësisë së Kosovës. Rama ka thënë se sfida kryesore e këtij rrugëtimi ka qenë ajo për ta bindur faktorin ndërkombëtar që FSK-ja është e gatshme për marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja.

Ai ka bërë me dije se pajisjet dhe armatimi i FSK-së do të jenë të bazuara në ushtritë moderne që janë anëtare të NATO-s. Komandanti i FSK-së ka treguar se për çdo vit do të ketë rritje të buxhetit për ushtrinë nga 5 milionë euro.

Shqipe HETEMI

“Epoka e re”: Gjeneral, vendimi për formimin e ushtrisë, ndonëse është vlerësuar sukses madhor i vitit që po lëmë pas nga FSK-ja dhe institucionet e tjera, ka emocionuar edhe qytetarët. Keni pritur se përmes miratimit të ligjeve në Kuvend të Kosovës këtë vit Forca e Sigurisë së Kosovës do ta fillojë misionin e ri ushtarak?

Rama: E kam pritur këtë vendim. Në fakt, jemi vonuar në këtë proces, por dihen arsyet e kësaj vonese. Sidoqoftë, kurrë nuk është vonë për vendime të tilla. Me rëndësi është që në një farë forme është kurorëzuar shtetësia e Kosovës me shtyllën kryesore siç është ushtria. Për mua është privilegj dhe nder të jem në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë këtij procesi të transformimit në ushtri. Formimi i ushtrisë është e arritura më e madhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim ka qenë emocionues edhe për qytetarët të cilët e kanë mirëpritur. Bërja e ushtrisë ka qenë përpjekje shekullore dhe kjo është meritë e brezave të tërë, në veçanti është meritë e dëshmorëve dhe martirëve të cilët kanë dhënë jetën për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Për të ardhur deri këtu të gjithë pjesëtarët e FSK-së kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, duke qenë të përkushtuar, angazhuar, disiplinuar dhe motivuar. Prandaj, falë punës dhe angazhimit, ia kemi arritur ta bindim faktorin vendor dhe faktorin ndërkombëtar që FSK-ja është e gatshme për marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja.

“Epoka e re”: Si komandat, me çfarë sfidash jeni përballur deri te ky rrugëtim, pos reagimeve që kanë ardhur nga NATO?

Rama: Në karrierën time është hera e tretë ose e katërt që kemi bërë transformime, por sfidat harrohen meqë është e rëndësishme arritja e qëllimit. Pra, kemi arritur ta bëjmë Kosovën me ushtri. Sfida kryesore ka qenë ajo për t’i bindur partnerët, sidomos ata strategjikë dhe NATO-n. Me angazhim, punë dhe disiplinë kemi arritur t’i bindim të gjithë se jemi të gatshëm që të marrim detyra të reja dhe të kontribuojmë për siguri. Deri më tash në një farë forme kemi qenë vetëm shpenzues të sigurisë, por tash e tutje do të jemi prodhues të sigurisë. Këtë e kemi dëshmuar sepse për shtatë vjet me radhë jemi institucioni më i besuar nga qytetarët në Republikën e Kosovës. Ky besim është arritur falë punës dhe disiplinës sonë.

“Epoka e re”: Me mandat të ri ushtarak, FSK-ja a mund të jetë e pranishme edhe në veri, meqë ka pasur dyshime se nuk mund të shkelë në këtë pjesë?

Rama: FSK-ja është e obliguar edhe me ligje edhe me Kushtetutë që të gjitha urdhrat dhe vendimet që vijnë nga lart t’i zbatojë. Në këtë drejtim nuk shoh ndonjë telashe dhe ligjërisht jemi të obliguar të jemi të gatshëm për t’u ofruar ndihmë qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim jug apo veri.

“Epoka e re”: FSK-së do t’i duhen dhjetë vjet për t’u transformuar tamam në ushtri. A do ta zë FSK-ja këtë hap në këtë dhjetëvjetësh?

Rama: Pavarësisht prej vonesave të vendimit politik, FSK-ja është në hap me kohën dhe nuk ka asnjë problem. Kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë kanë dalë obligime dhe detyra të reja për FSK-në. Kemi punuar ngushtë me partnerët tanë strategjikë, kemi hartuar një plan dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm, sidomos në aspektin e buxhetit, duke marrë parasysh ekonominë e vendit dhe mundësitë buxhetore. Kemi bërë analiza dhe mbi bazën e tyre në njëfarë forme kemi menduar që nuk do të ishte mirë që ushtria të bëhet barrë e buxhetit. Pra, këto plane janë fleksibile dhe varësisht prej situatave, nevojave dhe prioriteteve që do t’i kemi, do të veprojmë. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi ndenjur duarkryq sepse e kemi ditur se një ditë do të ndodhë ky transformim dhe kemi ndërmarrë disa masa, sidomos sa i përket ngritjes profesionale që ka qenë një prej prioriteteve të mia kryesore. Edhe në aspektin administrativ nuk shoh ndonjë problem, sepse i kemi marrë masat e nevojshme.

“Epoka e re”: Çfarë pajisjesh e armatim do të ketë FSK-ja me mandatin e ri ushtarak si dhe a është i mjaftueshëm numri i ushtarëve aktivë dhe atyre rezervë?

Rama: I përmenda analizat dhe ekspertizat që janë bërë nga ekipet shumë profesionale që në 65 vende të botës kanë ndërtuar ushtri të reja prandaj, bazuar në këto analiza, kemi dalë me këtë numër: 5 000 aktivë dhe 3 000 rezervë. Këtu janë marrë parasysh numri i banorëve, pozita gjeografike, si dhe analizat e tjera të sigurisë. Por, varësisht prej prioriteteve, nevojave dhe sfidave që do t’i kemi në të ardhmen do të veprojmë. Nuk do të thotë se ne duhet t’i kemi 5 000 pjesëtarë dhe do të lëvizim varësisht prej sfidave që mund të vijnë në të ardhmen. FSK-ja do të jetë e armatosur, e trajnuar dhe e zhvilluar me të gjitha pajisjet. Është herët të flasim tani për armatim, por varësisht prej zhvillimeve do t’i kemi edhe pajisjet e reja. Pajisjet dhe armatimi do të jenë të bazuara në ushtritë moderne të botës që janë edhe anëtare të NATO-s.

“Epoka e re”: Do ta keni problem përfshirjen e komunitetit serb në ushtri meqë disa prej pjesëtarëve të FSK-së nga ky komunitet janë larguar për shkak të presionit nga Serbia?

Rama: Jo, nuk do ta kemi problem dhe këtë e kemi dëshmuar edhe në situata më të vështira. Gjatë kampanjave të rekrutimit kemi pasur numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të komunitetit serb. Aktualisht në FSK janë më tepër se 10 për qind të komuniteteve pakicë, duke përfshirë këtu edhe komunitetin serb. Nuk shoh ndonjë problem në këtë drejtim as në të ardhmen. Fatkeqësisht, kanë ndodhur ato presionet dhe shantazhet që ua kanë bërë pjesëtarëve tanë, një pjesë e tyre janë larguar dhe unë kam marrë vendim në bazë të rregulloreve dhe ligjeve, prandaj nuk e kemi asnjë problem që t’i zëvendësojmë ata. Kemi gatishmëri, sidomos te komuniteti serb, për t’u bërë pjesë e FSK-së dhe do ta gjejmë kohën e përshtatshme për ta bërë rekrutimin e tyre. Madje qysh në fillim të 2019-s do ta kemi kampanjën e rekrutimit që do të vijnë gjenerata të reja brendapërbrenda FSK-së dhe pjesë e tyre pa dyshim se do të jenë edhe komunitetet, duke përfshirë edhe atë serb.

“Epoka e re”: Z. Rama, e përmendët më herët buxhetin. A mendoni se tani FSK-ja duhet të ketë buxhet më të madh sesa që është parashikuar?

Rama: Bazuar në planet tona, pas vendimit për transformim, ne kemi planifikuar që për çdo vit nga pesë milionë euro të rritet buxheti për ushtrinë. E kemi deklaratën e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave. Ky buxhet do të jetë i mjaftueshëm karshi planeve tona dhe zhvillimeve që do të ndodhin.

“Epoka e re”: Çfarë pritje keni për ushtrinë në vitin 2019?

Rama: Jam i sigurt se do t’ia dalim t’i realizojmë të gjitha aktivitetet për vitin 2019, sepse ushtria e Kosovës është e ngritur në aspektin profesional. Dhe, me këtë rast, më lejoni t’u uroj festën pjesëtarëve të FSK-së dhe qytetarëve të Kosovës, duke u dëshiruar shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Dita e Veteranit, është ditë e përkujtimit dhe nderimit për…