Ushtria e Serbisë mohon se planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës
Shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, i ka mohuar akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra. I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina”, ka thënë Mojsilloviq në një konferencë për gazetarët në Beograd.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë.
Më 24 shtator, policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Sveçla ka thënë se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik.
Me këtë rast, janë publikuar u fotografi dhe video, që sipas Policisë së Kosovës, janë incizuar nga dronët dhe janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Mojsilloviqi e ka mohuar se Radoiçiqi ka marrë pjesë në stërvitje në bazën “Pasulanske Livade”, afër Jagodinës, në Serbinë qendrore. /REL