Ushtria gjermane mund të rekrutojë ‘qytetarë të BE-së’
Shtatë vjet pasi Gjermania ka braktisur kërkesat e detyrueshme ndaj banorëve të saj për t’iu bashkuar ushtrisë, Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë së këtij shteti, Eberhard Zorn, ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia e punësimit të qytetarëve evropianë në pozitat e ekspertëve.
Zorni ka thënë se forcat gjermane “duhet të shikojnë në të gjitha drejtimet në kohën kur ka mungesë të personelit të kualifikuar”, duke përmendur doktorët dhe specialistët e Teknologjisë Informative.
Forcat e armatosura të Gjermanisë ka vite që janë përballur me mungesë të investimeve.
Prandaj ky shtet synon ta rrisë personelin ushtarak me 21 000 persona të tjerë deri më 2025.
Përveç tjerash, autoritetet kanë premtuar edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje nga 1.2 për qind në 1.5 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm (GDP) deri më 2024.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ka thënë në një intervistë të enjten se ushtrisë gjermane i janë shtuar 6,500 trupa për dy vjet, derisa në shtatë vjetët e ardhshme pritet të ushtria gjermane të ketë 203,000 trupa.
Ajo ka thënë se 12 për qind e personelit ushtarak tani përbëhet nga gratë dhe se vetëm këtë vit, një nga tre personat që kanë synuar të marrin pozita në ushtri ka qenë grua.
Ndërkohë gjenerali Zorni i ka thënë gazetës “Funke” se ushtria duhet “të punojë më shumë për të siguruar një gjeneratë të re”, ndonëse qytetarët e Bashkimit Evropian mund të jenë pjesë e ushtrisë vetëm në pozita të veçanta.
Sipas ligjeve pas Luftës së Dytë Botërore, pjesëtarët e ushtrisë së Gjermanisë duhet të jenë gjermanë.
Komisionari parlamentar për forca të armatosura, Hans-Peter Bartels, ka thënë se rekrutimi i qytetarëve të BE-së “është pothuajse gjë normale” pasi shumë ushtarë veçse kanë dy shtetësi apo histori të imigrimit.
Sipas gazetës “Funke”, më shumë se 900 qytetarë tashmë janë punësuar nga ushtria në pozita civile. /Rel/