Ushtria gjermane përgatitet për mbrojtjen e atdheut
Pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, Gjermania thotë se ka ardhur “momenti i kthesës” dhe është duke forcuar mbrojtjen e vendit. Luftë e Ftohtë me karakteristika të reja.
Fjalimi i saj bëhet me rastin e një ceremonie ushtarake organizuar për krijimin e komandës drejtuese territoriale: një lloj parakalimi. Kjo njësi e re do të fillojë zyrtarisht punën më 1 tetor duke bërë bashkë në kryeqytetin gjerman forcat deri tani të organizuara në mënyrë të decentralizuar. Detyra më e rëndësishme është mbrojtja e atdheut.
Çfarë kihet parasysh me “moment kthese”?
“Në këtë mënyrë ne përmirësojmë mbrojtjen e vendit dhe të aleatëve,” thotë ministrja e Mbrojtjes në mungesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të cilin e ka zënë Korona. Për të folur për ndryshimin e paradigmave në politikën e mbrojtjes dhe të sigurisë, kryeministri gjerman ka zgjedhur fjalën “moment kthese. “Këtë fjalor Christine Lambrecht e përdor herë pas here. Shokun e partisë, Olaf Scholzin, ajo e quan “Spiritus Rector i momentit të kthesës”, pra nismëtar të vlerësimeve të reja për ushtrinë gjermane, Bundeswehr. Financiarisht ndryshimi i kursit ushtarak kërkon 100 miliardë euro më shumë. Në këtë mënyrë ushtria duhet të pajiset më mirë në të gjitha nivelet, sidomos me armë moderne, të cilat janë edhe të gatshme për t’u përdorur. Në këtë pikë ka ngecur puna prej shumë vitesh.
Ministrja gjermane premton “drejtim nga një dorë”
Krah pajisjeve teknike, ndryshimet në organizim duhet të rrisin fuqinë goditëse. Por: “ndryshimet duhet të mbërrijnë edhe tek strukturat e ushtrisë”, thotë Christine Lambrecht. “Drejtim nga një dorë e vetme”, thotë maksima. “Me rrugë të shkurtër drejt qeverisë federale”, thekson komandantja e shtabit të ushtrisë gjermane në kohë paqeje. Në rast lufte komanda i kalon kancelarit federal. Kështu thuhet në Kushtetutën gjermane.
Komanda e drejtimit territorial për brenda vendit, me qendër në Berlin është në varësi të komandës drejtuese të misioneve në Pocdam, e cila që nga viti 2001 ka kompetencat e misioneve të Bundeswehrit jashtë vendit. Njësia e sapokrijuar do të bëjë në të ardhmen koordinimin nga një pikë e vetme, të gjithë atyre detyrave që deri tani kanë qenë të shpërndara në gjithë Gjermaninë: mbrojtjen e atdheut, ndihmat në raste katastrofash gjatë përmbytjeve ose djegies së pyjeve, transportin e trupave dhe armëve për stërvitjet ushtarake me partnerët brenda Bashkimit Europian (BE) ose me partnerët e Aleancës Veriatlantike (NATO).
Misione të ushtrisë brenda vendit për përmbytjet, refugjatët, Koronën
Christine Lambrecht vlerëson lart ndihmën e dhënë nga ushtria brenda vendit për çështje që lidhen me organizime të tjera. Ajo kujton misionin e ushtrisë gjatë përmbytjeve të Elbës në vitin 2013, ndihmën e dhënë për refugjatët që erdhën në Gjermani nga 2015 deri 2018, ose ndihmën për katastrofën e përmbytjes në zonën e Ahrtalit më 2021. “Më mbresëlënëse ka qenë sigurisht misioni i ushtrisë i nisur më 2020 dhe deri tani më i gjati, gjatë pandemisë së Koronës”, thekson ministrja e Mbrojtjes.
25 mijë gra dhe burra ndihmuan të pengonin përhapjen e virusit të rrezikshëm. “Ata bënë vaksina, ndoqën rrjedhën e kontakteve, morën prova për të kontrolluar infektimet.” Vetëm gjatë këtij misioni janë bërë 11 mijë kërkesa për të marrë ndihmë nga ushtria, thotë Christine Lambrecht. “Një ndihmë e madhe për të cilën ushtria mund të jetë krenare dhe për të cilën njerëzit në vendin tonë janë mirënjohës.”
Komanda e njeh mirë kryeministrinë
Komandanti i parë i komandës territoriale të sapokrijuar është Carsten Breuer. Deri në maj të 2022 ai drejtonte shtabin e Koronës në kryeministri, shtab që është shpërbërë ndërkohë. Në funksionin e ri, 57 vjeçari Breuer, do të forcojë aftësinë rezistuese të Gjermanisë për të gjitha rastet e përfytyrueshme të krizave. Këtu futet edhe mbrojtja klasike e vendit.
“Pavarësisht nga planet që ka një kundërshtar potencial që ndodhet në territorin gjerman, ne duhet të jemi në gjendje të konfrontohemi me të,” tha Carsten Breuer që në korrik të 2022 për revistën “Der Spiegel”. Gjatë Luftës së Ftohtë kanë ekzistuar strukturat për këtë dhe bëhej edhe trajnimi. Pastaj, erdhi ribashkimi i Gjermanisë dhe njeriu kujtoi se ishte i rrethuar vetëm nga miq.
Aneksimi i Krimesë ndryshoi situatën
Të paktën që nga aneksimi i Krimesë ukrainase nga Rusia më 2014, “ne e dimë se ishte hap i gabuar”, kujton gjatë intervistës gjenerallejtënanti për gabimet me pasoja të rënda të bëra në politikë. Sepse momenti i kthesës ushtarake, për të cilin flet Olaf Scholz, u shpall në Gjermani tetë vjet më vonë, pas sulmit rus kundër të gjithë Ukrainës.
Sipas pikëpamjeve të Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, komanda territoriale e drejtimit luan një rol të rëndësishëm për këtë: “Ne forcojmë gatishmërinë për ndërhyrje të ushtrisë”, thotë Christine Lambrecht, duke përmbledhur me një fjali detyrat e njësisë së re. /DW/