Ushtria në Gabon nis një grushtshtet
Ushtarët në shtetin e Afrikës Perëndimore, Gabon, kanë thënë se kanë nisur një grushtshtet për të “rikthyer demokracinë”.
Ata kanë fituar kontrollin e radios kombëtare në orët e hershme të mëngjesit, duke lexuar një deklaratë të shkurtër, përmes së cilës kanë njoftuar për “Këshillin Kombëtar të Restaurimit”.
Deri më tani në rrugët e kryeqytetit, Librevill janë parë tanke dhe makina tjera të armatosura.
Presidenti i tanishëm, Ali Bongo ka zëvendësuar babain e tij Omar Bongon më 2009. Ai është rizgjedhur president më 2016, në një proces zgjedhor të përcjellë me dhunë dhe akuza për mashtrim, raporton “Rel”.
Bongo, që është larguar nga shteti për dy muaj, është raportuar të jetë përballur me probleme në zemër në muajin tetor dhe ka qenë nën përkujdesje shëndetësore në Marok.
Megjithatë, ai ka synuar t’iu japë fund thashethemeve për shëndetin e tij, duke thënë se është në gjendje të mirë.
Një deklaratë e tillë është pritur me zhgënjim nga ushtarët, të cilët e kanë cilësuar këtë qëndrim si “përpjekje të pashuar për të qëndruar në pushtet”.
Deri më tani Qeveria e Gabonit ka thënë se situata është nën kontrollë derisa presidenti amerikan, Donald Trump ka pozicionuar ushtarë në këtë shtet, për t’i mbrojtur qytetarët amerikanë, pas shqetësimeve për protesta të dhunshme në Republikën Demokratike të Kongos, meqë aty janë mbajtur zgjedhjet presidenciale.