Ushtria ukrainase thotë se ia ka rrëzuar Rusisë dy avionë spiunë
Ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat e saj i kanë rrëzuar dy avionë spiunë rusë gjatë një “misioni të suksesshëm” mbi Detin e Azovit.
“Forcat ajrore të ushtrisë ukrainase i kanë shkatërruar një avion gjurmues A-50 të armikut dhe një post të komandimit ajror Il-22 të armikut”, tha komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, në Facebook.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte të dhëna për rrëzimin e dy avionëve ushtarakë rusë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje.
Këta avionë janë mjete të rëndësishme për Rusinë, e cila i përdor për t’i orkestruar lëvizjet në fushëbetejat e luftës në Ukrainë.
Rrëzimi i tyre do të ishte arritje shumë e madhe për Ukrainën në luftën tashmë dyvjeçare, ku luftimet në vijën e frontit po zhvillohen kryesisht në llogore dhe me artileri.
A-50 është një avion paralajmërues dhe kontrollues me një radar të madh i cili është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.
Ai bart zakonisht një ekuipazh prej 15 vetave. Raportohet se Rusia vepron me nëntë avionë të tillë.
Il-22 është një post i komandës ajrore, i cili ka për qëllim t’i mbikëqyrë operacionet ushtarake dhe ritransmeton valë radiosh te trupat në vijën e frontit. Raportohet se forcat ajrore ruse kanë dhjetëra avionë të tillë.
Ukrainë është etur t’iu lënë mbresa mbështetësve të vet perëndimorë me aftësitë e saj për t’i përdorur armëve që ia kanë dhënë ata.
Ndërkohë, të hënën më herët, Kombet e Bashkuara u kërkuan donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti.
Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).
Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.