Usyk kërkon përballje me Wilderin
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, kampion bote në peshën e rëndë, ka deklaruar se është gati të përballet me amerikanin Deontay Wilder.
Ky i fundit është ish-kampion bote në këtë divizion. Usyk, pasi mposhti dy herë Joshuan, duhej të përballej me Tyson Furyn për t’i unifikuar titujt kampionë, por dueli nuk u realizua. Fury do të përballet me Joshuan, në një duel mes dy boksierëve britanikë, ndërsa Usyk u shpreh se dëshiron që vitin e ardhshëm ta sfidojë Wilderin.
“Më vjen keq për fansat, pasi Fury nuk donte të përballej me mua dhe të zhvillonim një sfidë të madhe. Gjithsesi, kjo është përgjegjësi e tij. Kur të ketë dëshirë të duelojë me mua unë jam gati”, u shpreh ukrainasi.
I pyetur se cilin boksier do të pëlqente ta kishte përballë herës tjetër në ring, ai tha: “Deontay Wilder. Është një boksier i rrezikshëm dhe mendoj se së bashku mund të duelojmë në Amerikë”. Për momentin Wilder do të duelojë ndaj Robert Helenius në Nju-Jork muajin tjetër dhe kjo sfidë me Usykun mund të zhvillohet në pranverë.