Usyk: Luftoj për titujt dhe Ukrainën
Këtë fundjavë në Poloni, boksieri ukrainas Oleksandr Usyk do të mbrojë titujt kampionë bote në peshën e rëndë ndaj britanikut Daniel Dubois.
Kjo sfidë është vendosur për t’u zhvilluar në Poloni, afër Ukrainës, për shkak se kampioni i botës nuk duelon dot në vendlindje, si pasojë e luftës. Duke folur për mediet në ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Usyk ka thënë:
“Pas duelit me Joshua vajta në frontin e luftës dhe qëndrova me ta. Me dylbi pashë që 900 metra larg meje ishin trupat ruse. Armiqtë tanë, tanke që shpërthenin, shtëpi që merrnin flakë. Pashë njerëz pa krahë dhe pa këmbë. Pashë nga ata që dukeshin si të vdekur që ecnin në kërkim të mbijetesës. Kam parë gjithçka, edhe të vrarë. Lëviza me makinë në një qytet të vdekur, pa energji. Pashë një kënd lojërash, por asnjë fëmijë që të luante. Ushtarët nuk e kuptonin se përse isha aty, por doja të isha me ta”, ka thënë Usyk. “Ne do ta fitojmë lirinë dhe unë do të bëj maksimumin për ta ndihmuar vendin tim, sidomos në ring. Gjithçka që pashë më kanë bërë më të fortë, ndaj nuk më tremb askush, asnjë rival. As Dubois, as Fury askush. Jam gati për t’i treguar botës kush jam, duke pasur nga pas mbështetjen e Ukrainës dhe lavdinë e saj”, u shpreh Usyk.