Usyk: Nuk e kam mendjen te boksi, është shpejt për një tjetër duel të madh
Pasi mbrojti titujt kampion bote në peshën e rëndë, boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka nisur pushimet.
Ende e paqartë situata në lidhje me të ardhmen e tij, nëse do të synojë një tjetër unifikimin të titujve kampionë bote apo do të zbresë një Divizion më poshtë.
Usyk mban titujt e kategorive WBA, WBC e WBO, ndërsa britaniku Daniel Dubois është mbajtës i titullit IBF.
Dubois bëri thirrje për revansh ndaj Usyk (ukrainasi e ka fituar duelin e parë mes tyre në vitin 2023), por duket se vështirë se kjo sfidë do të zhvillohet këtë vit.
“Hapi im i radhës është të vazhdoj të pushoj. Nuk po mendoj për boksin, nuk po mendoj për Dubois apo për Tyson Fury. Vetëm po pushoj dhe po luaj me fëmijët e mi”, ka thënë në një deklaratë për “Sky Sports” boksieri ukrainas.
Një muaj më parë ai fitoi me vendim unanim revanshin me Fury.
Ndërkohë, Alex Krassyuk, promotori i ukrainasit, shtoi: “Është shumë herët për të folur për një revansh mes Dubois dhe Usyk. Mos harroni që Dubois duhet të përballet fillimisht me Joseph Parker në shkurt, ndaj është e kotë të flasim për një revansh”.
Usyk ka deklaruar më herët se mund të rikthehet në peshën “cruiserweight”, ku ka dueluar dhe ka qenë kampion bote. “Më pëlqen të motivoj njerëzit dhe t’u jap atyre nxitjen për të bërë diçka. Për mua, boksi është motivimi im”, tha boksieri ukrainas.