Uzuni, i treti në Evropë
Mediet e huaja, kryesisht ata spanjolle, vijojnë t’i bëjnë jehonë sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Bomberi i Granadas është golashënuesi më i mirë në Kategorinë e dytë spanjolle dhe ka shifrat e më të mëdhenjve në Evropë. Së fundmi, “Estadio Deportivo” ka nxjerrë disa të dhëna që e bëjnë Uzunin të jetë mbi yjet e futbollit botëror.
Në fakt, futbollistin shqiptar e kalon vetëm Erling Haaland i Manchester Cityt dhe Jonathan David i Lille në dygolëshat dhe hat-trick. Këtë sezon, bomberi kuqezi ka arritur që në katër ndeshje të shënojë nga dy gola dhe ka realizuar një hat-trick. Ai është vetëm një dygolësh prapa David dhe Haaland, por ky i fundit ka shënuar katër hat-trick. Në këtë mënyrë, Uzuni është lojtari i tretë me më shumë dygolësha dhe tregolësha në pesë ligat kryesore evropiane, duke kaluar yje si Mbappe, Benzema, Lewandowski, Osimhen, Messi dhe Neymar.
Legjenda e Granadas dhe e futbollit spanjoll, Alex Honrubia, në revistën Panenka, u shpreh për Uzunin: “Është një nga ata sulmues që nuk kërkon leje. Hyn dhe ndez një cigare në mes të lokalit pa përshëndetur. Thjesht qëllon”. Pra, Uzuni ka rrëmbyer zemrat e të gjithëve me 19 golat e tij deri më tani. Dhe klauzola prej 12 milionë eurosh, do të rritet në 25 milionë euro në rast se Granada ngjitet në La Liga.