V. Kontributet në fushë të historisë së letërsisë
Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu
Pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për Albanologjinë (4)
Duke qenë historian i letërsisë, në të vërtetë bartës i arritjeve të rëndësishme të kohës në fushë të kësaj dijeje, sado jo në ato përmasa që do t’i arrijë më vonë, Profesor Qosja konceptet për studimin e letërsisë shqipe në projektin e tij i kishte lënë të fundit.
Në fushën e studimit të letërsisë shqipe, ndërkaq, është e nevojshme të vazhdojmë punën rreth mbledhjes së të dhënave dhe të shkrimeve të shkrimtarëve shqiptarë, -po jo vetëm – nga trualli i Kosovës dhe rreth ngritjes sa më komplete të arkivit të krijuesve të traditës dhe të kohës sonë. Në këtë drejtim është e nevojshme të hartohet leksikoni i shkrimtarëve që, në mungesë të enciklopedive shqiptare, do të plotësonte kërkesat e përditshme për informata letrare. Krahas kësaj pune duhet të studiohen: poetika e shkrimtarëve të veçantë; evolucioni tematik; evolucioni stilistik; zhanret dhe tipat letrare; evolucioni i ritmit në poezinë shqipe; formacionet stilistike në diakroni dhe në sinkroni; çështjet metodologjike dhe praktike të periodizimit; marrëdhëniet e letërsisë shqipe me letërsinë evropiane sipas periudhave letrare. Në mënyrë të veçantë është e nevojshme të ndiqet struktura e rrjedhave të letërsisë së sotme shqipe dhe të hetohen prirjet e saj karakteristike. Me këto studime të veçanta problemore dhe historike letrare do të duhej të përgatitej hartimi i historisë së letërsisë shqipe, në bazat e poetikës strukturale historike”.
Profesor Qosja gjatë kësaj kohe do të ideojë projektin e madh të Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi I, II, III), i cili për nga rëndësia e trajtimit dhe e sqarimit teorik të disa problematikave të procesit historiko-letrare në të, mbetet ende një nga nevojat e rikonceptimit të përgjithshëm të Historisë së letërsisë shqiptare sot. Në fushë të interpretimit, tipologjizimit, teoritizimit dhe vlerësimit të procesit letrar shqiptar, në fushë të mendimit largvajtës historik, Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore në fushë të historisë së letërsisë e të mendimit teoriko-letrar të kësaj dijeje. Studimet e para të kësaj natyre dalin që në veprën e parë Episode letrare (1987), por zënë vend të theksuar në vëllimet Dialogë me shkrimtarët (1968) dhe Kontinuitete (1972) dhe identifikojnë historianin e letërsisë me monografinë Asdreni – jeta dhe vepra e tij (1972), për të vazhduar me vepra të tjera të kësaj natyre gjatë një jete të tërë: Shkrimtarë dhe periudha (1975), Prej tipologjisë deri te periodizimi (1979), Nocione të reja albanologjike (1983), Historia e letërsisë shqipe I-III (1984/1986), Porosia e madhe (1986), Tri mënyra të shkrimit shqip (2004), Semantika e ndryshimeve historiko-letrare (2009), si dhe vepra të tjera, në të cilat ku më pak e ku më shumë ka trajtuar autorë, vepra dhe periudha historiko-letrare.
Me këto vepra dhe me të tjera të kësaj natyre, ai e ka bërë për herë të parë sintezën e madhe të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij, e kjo do të thotë të albanologjisë, në kuptimin e plotë të fjalës, pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si një të tërë me zhvillimet historike të Evropës dhe si një etni sociokulturore, etnopsikologjike, politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tyre. Në këtë rrjedhë, veprën e tij për më shumë se gjysmë shekulli e ka shquar koncepti antidogmatik dhe qasja moderne e hulumtimit dhe studimit. Në veprat me karakter monografik dhe në ato me studime të veçanta Profesor Qosja ka realizuar si në asnjë fushë tjetër të albanologjisë prirjet moderne të studimit të letërsisë shqipe, ka identifikuar metodat më bashkëkohore të studimit të saj, ka bërë periodizimin e saj sipas teorive moderne me të cilat janë bërë periodizimet e letërsive fqinje dhe europiane, ka parë elementet e përbashkëta, ndikimet dhe dallimet e letërsisë shqipe me atë europiane, rrjedhat historike të zhvillimit të saj, si dhe ka standardizuar një varg nocionesh, termash e neologjizmash për studimin e saj.
Duke e konceptuar, përkatësisht projektuar historinë e letërsisë shqipe dhe duke iu qasur asaj në diakroni e sinkroni, ai ka mundur të studiojë njërën prej periudhave më homogjene të letërsisë shqipe dhe rrafshet e saj, të cilat ai i identifikon si: struktura e erudicionit letrar, shkencor dhe filozofik; struktura e pikëpamjeve për gjuhën dhe për përdorimin e saj; struktura e miteve që krijojnë shkrimtarët e kësaj periudhe dhe e topikës që sjell përsëritja e temave, e mendimeve dhe e ndjenjave të njëjta; struktura e aspekteve ligjërimore; struktura figurative, metrike dhe ritmike e vargut dhe tipologjia e tij; struktura tipologjike e gjinive, e llojeve dhe e formave të poezisë lirike, të poezisë liriko-epike, të poezisë epike, të prozës, të prozës letraro-shkencore dhe të dramës. Në të vërtetë, duke u marrë me strukturën hapësinore të romantizmit,ai merret me tema që në shikim të parë kanë karakter historik e kulturor, si atdheu dhe kolonitë, kolonia e arbëreshëve të Italisë, kolonia e Stambollit, atdheu, çintegrimi i romantizmit etj.; duke u marrë me shtrirjen kohore të romantizmit, ai merret me disa prej përbërësve historikë, periodizues e kulturorë të tij, si: dy etapa të romantizmit, iluminizmi kombëtar, faktorët ndarës dhe faktorët bashkues, faktori dialektor gjuhësor, faktori fetar, faktori kryesor bashkues, letërsia dhe opinioni, kultura kombëtare, struktura kohore dhe qenia estetike etj.; duke studiuar veçoritë e strukturës gjuhësore të romantizmit ai merret në mënyrë të veçantë me traditën dhe shumëgjuhësinë e teksteve të shkrimtarëve të kësaj periudhe, shkaqet e shumëgjuhësisë romantike (italiane, greke, turke, franceze etj.) dhe tejkalimin e saj; duke vlerësuar erudicionin letrar, filozofik dhe shkencor të shkrimtarëve të letërsisë së romantizimit shqiptar ai ka bërë tipologjinë e strukturës sinkronike dhe diakronike të këtij erudicionit, nga interesimet e tyre për letërsitë antike greke dhe romake, deri te evropeizimi i saj.
Duke bërë sintezën e madhe të historisë së letërsisë në rrafshin diakronik e sinkronik Profesor Qosja ka bërë të mundur edhe pamjen e përbërësve të letërsisë popullore brenda saj, nga romantizmi dhe konteksti folklorik e historik deri te tejkalimi i ndjeshmërisë dhe i modeleve folklorike, ndërsa duke e parë rolin e gjuhës në jetën mendore dhe letrare në këtë periudhë ai ka diskutuar disa nga vlerat historike, stilistike dhe ndjenjore të filozofisë së saj, si dhe përpjekjet e shkrimtarëve të kësaj periudhe për pastërtinë e gjuhës prej barbarizmave dhe krijimin e neologjizmave etj. Më parë se sa të merrej me poetikën e veprës së shkrimtarëve të romantizmit, duke e bërë tipologjinë e saj veç e veç, Profesor Qosja ka sjellë një pamje sintetike të miteve romantike, brenda të cilit janë përmbledhur veçoritë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar, kujtesa historike, historia e letrarizuar, mitet për gjuhën etj., deri tek çintegrimi i tyre, si kusht për të kaluar në periudhën e realizimit.
Do të duhet shumë kohë që Historia e letërsisë shqipe në përgjithësi dhe periudha e romantizmit në veçanti, të ketë një sintezë të kësaj natyre, brenda së cilës të jetë bërë tipologjia e veçorive teorike, stilistike e letrare e krijimtarisë së romantikëve shqiptarë, si: tipologjia e lirikës dhe përbërësit e saj, tipologjia e liriko-epikës dhe e epikës, tipologjia e prozës, e prozës letrare-shkencore dhe e dramës, trajtat e ligjërimit, struktura e figurave, struktura rrokjesore dhe ritmike e vargut, romantizmi shqiptar dhe romantizmi evropian etj.
Duke shkruar për veçoritë historike të krijimtarisë letrare të periudhës së romantizmit Profesor Qosja ka shkruar në mënyrë të veçantë për disa aspekte teorike, gjuhësore, letrare dhe estetike të saj, sikur janë: poezia atdhetare, poezia e dashurisë, poezia meditative, tingëllima, odja, himni, marshi, elegjia, vajtimi, satira, poema lirike, kënga epike, epopeja në prozë, proza e vonuar, romani, historia e letrarizuar, tregimi, fejtoni, aforizmi dhe aforizmi i poetizuar, kritika letrare, polemika, jetëshkrimet dhe memoaret, tipat e dramës, teatri, thënia gjuhësore dhe lexuesit e saj, parimi retorik i stilit, ligjërimi vlerësues, ligjërimi, etosi dhe patosi, ligjërimi dhe stilet funksionale, figurat dhe formacioni stilistik, personifikimi dhe strukturat emocionuese të vargut, krahasimi, pozitat e krahasimit në strukturën e vargut, rolin e krahasimit në strukturën e vjershës, epitetin, strukturën patetike dhe retorike të figurave romantike, strukturat mbizotëruese rrokjesore dhe ritmike, ritmet e strukturave të shkurtra rrokjesore, ritmet e strukturave të mesme rrokjesore, ritmet e strukturave të gjata rrokjesore, strukturat rrokjesore dhe ritmet e mangëta, strukturat ritmike dhe kuptimet e vargut, strukturat ritmike dhe rrjedhimet gjuhësore, konteksti horizontal europian i romantizmit shqiptar, konteksti vertikal europian i romantizmit shqiptar etj.
E parë në kontekstin historik dhe kulturor e shkencor të kohës, Historia e letërsisë shqipe, profesor Qosjes i ka dhënë dimensionin e studiuesit të përmasave kombëtare dhe më gjerë. Në përmasa kombëtare i ka dhënë vendin e idhullit, në të cilin janë bashkuar kombëtarja dhe evropiania, më parë se sa këtë epitet ta merrte pak vite më vonë kur në mënyrë të veçantë u bë përfaqësues i popullit të tij në ringritjen historike: çlirimtare në Kosovë dhe demokratike në Shqipëri. Sigurisht kjo është edhe arsyeja pse në këtë ecje, në këtë rrugëtim historik, profesor Qosja me jetën dhe me veprën nuk e përfaqësoi vetëm idhullin e shqiptarizmës: Naim Frashërin, po sintezën e madhe të kësaj periudhe të lavdishme historike, – romantizmin. Kjo, sigurisht është edhe arsyeja kuptimore, pse vepra e tij shkencore, letrare dhe politike e ka udhëhequr kalimin e popullit shqiptar në kapërcyell të shekullit XXI. (VIJON)