Vajza dhe djali i Fahredin Gashit: Babai ynë është i pafajshëm, të lirohet sa më shpejt

11 shkurt 2019 | 16:28

Vajza e Fahredin Gashit, Frontina, përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka thënë se babai i saj është i pafajshëm.

Në nëntor të viti 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte dënuar me 18 vjet burgim Fahredin Gashin, nën akuzat për vrasjen e Salih Gashit, më 15 qershor 1999, në fshatin Varigovc të Lipjanit.

Aktakuza ndaj Gashit u ngrit pas dëshmive publike të Nazim Bllacës, i cili pati pranuar se ka marrë pjesë në vrasje dhe krime tjera, që sipas tij ishin të urdhëruara nga SHIK-u.

Së fundmi, Nazim Bllaca, në një dokumentar të RTK-së, paraqitej si spiun i Serbisë në Kosovë dhe i lidhur me UDB-në.

Frontina Gashi ka thënë se është pikërisht Nazim Bllaca ai që ka faj për dënimin me burg të babait të saj.

Vajza e Fahredin Gashit përmes kësaj deklarate tregon se kur kishte lindur ajo, nuk e kishte pasur afër babanë, sepse ai ishte pjesë e luftës çlirimtare, UÇK-së.  “Unë as në këtë fotografi nuk e kisha babanë afër. Në këtë moment që unë kam lindur nuk ai ishte pranë meje. Pse? Sepse ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në ato momente kur unë linda. Ai ishte duke luftuar për lirinë që ne sot po e gëzojmë, ndërsa ata që luftuan për ta gëzuar këtë liri që kemi sot janë në burg pa faj, për shkak të spiunëve serbë siç është Nazim Bllaca, por të vërtetat e tij dolën me fakte. Faktet të cilat tregojnë se ai ishte agjent i BIA-së serbe nga viti 1997”, ka thënë Frontina Gashi, vajza e Fahredin Gashit.

Frontina ka bërë thirrje që babai i saj dhe të tjerët që luftuan për çlirimin e vendit duhet të lirohen. “Secili nga ju dëshiron që t’i ketë prindërit afër. Gjithashtu edhe unë dua ta kem babanë afër, sepse nuk e meriton atë vend ku është sot. Ata të gjithë janë të pafajshëm. Përderisa pafajësia e tyre doli në dritë ata ende po i mbajnë të burgosur. Dhe kjo të dhemb më së shumti kur e di që pa faj po qëndron në atë vend. Të lirohen sa më shpejt ata që dolën të pafajshëm dhe që ende po qëndrojnë në burg! Të lirohen ata që luftuan për ne, për të na mbrojtur ne dhe vendin tonë. Siç luftuan ata për të na mbrojtur ne, edhe ne duhet të luftojmë tani për t’i mbrojtur ata. Duam drejtësi”, ka thënë vajza e Fahredin Gashit, Frontina.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=390906061685152&set=a.128318414610586&type=3&eid=ARAxiPr2mxhSTxKXk-T2Z6GQcu7jSctrku3ZWH3AXVNkBUqk1S0ixMzKh10wUzmcZ9L8ZUcYIOSJdyrX

Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar edhe djali i Fahredin Gashit, Albioni.

“Duke u bazuar në emisionin e fundit ‘Udhëve” ku u binden të gjithë se babai im është i pafajshëm dhe u dënua vetëm me fjalët e një spiuni serb. Tani lind pyetja çka tash?”, ka shkruar Albion Gashi. “Kush na rikthen lotët dhe vuajtjet për 9 vite? Kush na rikthen vitet që i humbëm pa baba, pa burrë, pa djalë dhe pa vëlla? Kush na rikthen mungesën e tij në festa që çdoherë i kemi kaluar me lot? Kush na rikthen mungesën e tij në momentin e diplomimit të fëmijëve të tij? Kush na rikthen mungesën e tij në martesat e fëmijëve të tij? Kush ja rikthen mungesën e përjetimit të ndjenjës së të bërit gjysh?Kush na rikthen shëndetin e babit? Kush na rikthen 9 vite të jetës sonë që aspak nuk ka qenë e njëjtë pa të? Të gjithë keni familje dhe s’mund të rrini larg tyre më shumë se 3-4 ditë. Babai jonë është larg nesh që 3 285 dite pa asnjë arsye prezenca e tij na mungon shumë”, ka shkruar Albioni, duke bërë apel që të lirohet sa më shpejt babai i tij. “Ju lutem të gjithëve në qeveri dhe gjykatës boll. Është koha ta lironi sa më shpejt që është e mundur dhe t’i jepni fund vuajtjeve tona. Babi të duam shumë”, ka shkruar djali i djali i Fahredin Gashit, Albioni.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Jemi përcaktuar që ky vit të jetë viti i ekonomisë,…