Vajza e Azem Hajdarit: Do jap rrogën për ta riparuar shkollën e djegur në Shkodër
Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, pas pamjeve të mbrëmshme ku disa militantë ia kanë vënë flakën një shkolle në Shkodër me qëllim të djegies së materialeve zgjedhore që gjendeshin në të.
Djegien e shkollave, Hajdari e ka cilësuar si një traumë kombëtare dhe dhunë antishqiptare.
“Të dashur demokratë, djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë antishqiptare. Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore ta dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokratë dhe as socialistë, por thjeshtë servilë të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: -Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier! Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Evropa. Me respekt”, ka shkruar Hajdari.