Vajza e Navalnyt pranon çmimin “Saharov” për të atin
E bija e opozitarit rus, Alexei Navalny, i cili ndodhet në burg, ka marrë çmimin “Saharov” – mirënjohjen më të lartë të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, në emër të tij gjatë një ceremonie në Strasburg.
Daria Navalny e ka marrë çmimin në Parlamentin Evropian më 15 dhjetor disa muaj pasi babai i saj, njëri prej kundërshtarëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin ka përfunduar në burg pas një rasti i cili konsiderohet politikisht i motivuar.
E bija e opozitarit rus e ka quajtur çmimin “mirënjohje ndaj aktiviteteve të babait të saj dhe punës të cilën po e bëjnë bashkëpunëtorët e tij tani”.
Ligjvënësit evropianë më 20 tetor e patën zgjedhur Navalnyn si fitues për këtë vit për lirinë e shprehjes, duke thënë se “me dinjitet udhëhoqi fushatën kundër korrupsionit dhe regjimit të Putinit”.
E çmimin për të, opozitari rus ua ka dedikuar “të gjithë luftëtarëve të korrupsionit kudo në botë”.
45-vjeçari është arrestuar më 17 janar pas kthimit të tij në Moskë pasi po shërohej në Berlin nga helmimi që disa laboratorë në Perëndim konstatuan se vinte nga një agjent nervor i nivelit ushtarak.
Navalny pohonte se helmimin e urdhëroi direkt presidenti rus, Vladimir Putin gjë të cilën Kremlini e mohon.
Bashkimi Evropian më pas ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij.