Vajza e Sandulloviqit: Vuçiqi përgjegjës për rrahjen e babait
Politikani serb Nikola Sanduloviq vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për shkak të rrahjes brutale ndaj tij ai ka mbetur pjesërisht i paralizuar.
Këto detaje për tëvë1 i ka treguar vajza e tij, Klara Sanduloviq.
Ajo tregon se vetëm pas 6 ditësh ka arritur ta takojë dhe të flasë me babanë.
“Gjendja e tij është shumë kritike për momentin. Pas gjashtë ditësh ne patëm mundësi ta shohim atë. Ai është i vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur dhe është duke komunikuar me ne, por fizikisht është i dërrmuar. Ai është i paralizuar në anën e djathtë dhe nuk është duke u trajtuar në mënyrën e duhur. Ai ka shumë dhimbje në disa pjesë të trupit dhe ka humbur peshë. Për një moment ne menduam se ai kishte vdekur, por fatmirësisht rezistoi dhe është gjallë. Megjithatë, siç e ceka edhe më herët gjendja e tij nuk është stabile. Momentalisht atij po i ndihmon vetëm një person që po e ndanë dhomën me të”, ka thënë ajo për Tëvë 1
Klara thotë se urdhrin për rrahjen e babait të saj e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për arsye te ndryshme duke e përmendur mes tjerash edhe çështjen e Kosovës.
“Urdhrin për rrahjen e babit tim e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Babai im ishte vetmi politikan të cilin Aleksandar Vuçiq nuk arriti ta korruptonte me para dhe ta frikësonte. Babai im asnjëherë nuk është përfshirë në lojërat e ndyta të Vuçiqit ne Serbi dhe asnjëherë nuk ka qenë i nënshtruar nga ky regjim. Pos këtyre gjërave, babai im ka shumë informacione për këtë qeveri dhe kjo nuk i pëlqen atyre. Tutje, Nikola Sanduloviq është i vetmi politikan në Serbi, që është i gatshëm të ndërtojë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Të gjitha këto e kanë shtyrë Aleksandar Vuçiqin të japë urdhrin për ta sulmuar në mënyrë çnjerëzore babin tim”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo është shprehur e zhgënjyer me mungesën e mbështetjes nga opozita serbe. Sipas saj opozitës në Serbi i mungon guximi dhe vullneti për t’u ballafaquar me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
“Kjo nuk është një qeveri, por është një organizatë terroriste që i frikëson qytetarët e vet. Ne nuk do të dorëzohemi derisa gjërat të ndryshojnë për të mirë në Serbi. E ashtuquajtura opozita në Serbi ka qëndruar e heshtur dhe nuk na kanë mbështetur, askush nuk më ka telefonuar nga ta për të pyetur për gjendjen e babit tim. Ata qëndrojnë të heshtur sepse janë një opozitë e rreme, gjysma nga ta janë të paguar dhe gjithashtu janë të frikësuar. Ata nuk e kanë guximin e babait tim për t’u ballafaquar me këtë regjim”, thotë Sanduloviq.
Avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është marrë në pyetje për katër orë në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), dhe gjatë kësaj kohe është rrahur brutalisht.
BIA serbe e ka mohuar se ka përgjegjësi për rrahjen e kryetarit të Partisë Republikane Serbe.