Vajza me koronavirus është mirë, thotë infektologu Ahmeti
Deri tani në Kosovë ka shkuar në 16 numri i të infektuarve me koronavirus, ndërsa qytetarëve vazhdimisht u bëhet thirrje që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se pas mesnate në laboratorin e IKShPK-së është konfirmuar edhe një rast pozitiv me Covid 19, duke e çuar numrin gjithsej në 16.
“Një rast i ri me Covid 19. Pas mesnate në laboratorin e IKShPK-së u konfirmua 1 (një) rast i ri pozitiv me Covid 19. Personi i gjinisë femërore, shtetase e Kosovës, ka arritur të hënën në Kosovë nga Londra. Gjendja e saj është stabile. Deri tani në laboratorët e IKShPK-së u testuan 271 persona, prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitivë në SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.
Gjendja shëndetësore e vajzës së pranuar mbrëmë në Klinikën Infektive është në gjendje të mirë shëndetësore. Këtë e ka bërë me dije për T7 profesori dhe infektologu i QKUK-së, Salih Ahmeti.
“Mund t’ju njoftoj se gjendja shëndetësore e vajzës e cila u pranua mbrëmë në Klinikë dhe që rezultoi me koronavirus është stabile. Ne jemi duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të saj”, ka deklaruar Ahmeti.
Bëhet me dije se në qendrën e thirrjeve janë pranuar 1600 telefonata, ndërkaq vetëm të hënën nga orët e hershme të mëngjesit janë pranuar 215 thirrje telefonike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetizolim shtëpiak.
Duke ditur se në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e qytetare është e domosdoshme, IKShPK apelon të bëhet kujdes i shtuar, duke mbajtur distancë nga tjetri dhe duke shkurtuar daljet vetëm në raste emergjente.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kërkuar nga qytetarët bashkëmenaxhimin e kësaj situate, duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.