Vajza në Prishtinë rrah brutalisht prindërit dhe motrën
Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë është raportuar edhe gjatë ditës së djeshme, në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku një 27-vjeçare ka rrahur prindërit dhe motrën
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria bëjnë të ditur se viktimat, prindërit e të dyshuarës e kanë denoncuar vajzën e tyre në Polici, për dhunën që ka ushtruar ndaj tyre. Konflikti verbal mes tyre dyshohet se eskaloi deri në atë pikë sa vajza i ka rrahur brutalisht prindërit e motrën e saj 22-vjeçare.
Për motive ende të panjohura, e dyshuara i ka goditur ata me grushte, duke i kapur edhe për fyti dhe për pasojë iu ka shkaktuar lëndime trupore, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.
Përballë kësaj situate, familja nga Prishtina ka vendosur që ta njoftojë Policinë, me ç’rast një njësi policore e ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarën në stacion policor.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, e njëjta është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Dhunë në familje”.