“Vajza qeshte kur hapën gropën ku ishte babai”, flet psikologia
Vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta në fshatin Shënavlash të Durrësit është e mbushur plot mister, pasi fëmijët e familjes Meta kanë dhënë dëshmi kontradiktore në Polici, gjë që po pengon zbardhjen e këtij rasti.
Në fillim e mori përsipër vajza, pastaj djali i madh Hyseni dhe ditën e djeshme i pyetur në gjykatë ai e mohoi fajin dhe vrasjen e mori përsëri përsipër vajza.
Deri më tani të gjitha provat rëndojnë mbi fëmijët dhe nuk ka fakte të vërtetuara që kryefamiljari ka ushtruar dhunë sistematike ndaj tyre, ndonëse e gjithë familja e pretendon këtë gjë.
Edlira Dyrmishi, psikologe tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se ngjarja e ndodhur është shumë e rëndë nisur nga fakti se të tre fëmijët kanë qenë në një mendje për të vrarë shtyllën e shtëpisë që është babai dhe nuk kanë shfaqur asnjë pendesë.
Ajo iu referua raportimeve se vajza 19-vjeçare, Hygerta e cila ka marrë përsipër vrasjen, kur është çuar nga policia në vendngjarje për të hapur gropën ku kishte varrosur të atin, qeshte.
Sipas saj, fëmijët e kësaj familjeje mund të kenë çrregullime të thella psiqike, ndoshta si rezultat i një jete nën presion me një baba autoritar të cilit nuk ja kanë kthyer kurrë fjalën.