Vajzat U17 – Kosova mëson kundërshtarët në Ligën A për Euro 2024
Sot në selinë e UEFA-s në Nion është bërë tërheqja e shortit për rrethin e dytë të Ligës A për kualifikimet e Evropianit 2024 për femra në grupmoshën deri 17-vjeç.
Në këtë rreth merr pjesë edhe Kombëtarja e Kosovës, e cila në muajin tetor arriti të fitojë grupin e saj në Ligën B, duke avancuar në Ligën A.
Në shortin e sotëm Kosova u tërhoq në Grupin A2, ku bëjnë pjesë edhe Finlanda, Portugalia dhe Islanda. E pranishme në tërheqjen e shortit ishte përzgjedhësja e kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi. Ky rreth i garave përbëhet nga 7 grupe.
Ndeshjet zhvillohen në pranverë, derisa fituesit e secilit grup i bashkohen Suedisë si nikoqire e Kampionatit Evropian, i cili mbahet prej 5 deri më 18 maj.
Ndërkohë, skuadrat që përfundojnë në vendin e katërt do të bien në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues 2024/25.