
Vaksina e AstraZenecas do të testohet te fëmijët
Një studim i ri do të kryhet për të parë se si vaksina kundër koronavirusit e Universitetit të Oxfordit dhe kompanisë AstraZeneca funksionon te fëmijët.
Rreth 300 vullnetarë do të marrin pjesë në studim, që pritet të nisë në fund të muajit shkurt, transmeton BBC.
Vaksina e AstraZenecas po përdoret në Britani dhe vendet e Bashkimit Evropian, së bashku me vaksinat e Pfizer/BioNTech.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që vaksina e AstraZenecas të përdoret. Kjo vaksinë thuhet se ka efikasitet 63.9 për qind ndaj sëmundjes Covid-19.
Në studimin që do të kryhet, 240 fëmijë do ta marrin vaksinën e AstraZenecës, ndërkaq disa të tjerë do të marrin atë për kontrollin e meningjitit.
Në studimet paraprake të kryera nga Oxfordi dhe AstraZeneca, fëmijët nuk kanë qenë të përfshirë.
Andrew Pollard, profesor i infeksionit dhe imunitetit pediatrik, njëherësh kryeinspektor i provave klinike të vaksinës së Oxfordit ka theksuar se shumica e fëmijëve nuk preken nga Covid-19 dhe ka pak gjasa, që ata që preken, të kenë sëmundje të rëndë.
Por, ai tha se është e rëndësishme që të kuptohet siguria dhe përgjigja imunitare nga vaksina te fëmijët dhe adoleshentët, pasi sipas tij, fëmijët po ashtu mund të përfitojnë nga vaksinimi kundër koronavirusit.
Vaksina e AstraZencas aktualisht është miratuar që të përdoret te personat mbi 18 vjeç.